Buxheti miratohet në 3 dhjetor, Komisioni i Ekonomisë kalon draftin për miratim në seancë

Nga Marinela Lina
27 Nëntor 2024, 19:13 | Ekonomi

Projektbuxheti për vitin 2025 me një vlerë rreth 8.2 miliardë euro mori dritën jeshile nga Komisionet Parlamentare për të kaluar për votim në Parlament. Komisioni përgjegjës për Ekonominë dhe Financat miratoi përfundimisht nen për nen Buxhetin e vitit 2025, me shtesat e kërkuara nga institucionet si edhe rishpërndarjen e parave ndërmjet tyre.

Janë mbi 2.5 miliardë lekë  më shumë para që u kërkuan nga institucionet e drejtësisë si SPAK, KLGJ, KLP, KPK, Gjykata Kushtetuese, ILD, Shkolla Magjistraturës por dhe Kuvendi, SHISH, INSTAT, KLSH, RTSH, Drejtoria e shërbimeve qeveritare etj. Një shtesë e konsideruehsme do të shkojë edhe në drejtim të KQZ për zgjedhjet e vitit 2025.

RELATORJA ANTONETA DHIMA tha: “Në projektbuxhet bëhen këto ndryshime:

-Te Kuvendi shtohen shpenzimet me 160 milionë lekë, nga të cilat për mallra dhe shërbime me 110 milionë lekë për mirëmbajtjen e sistemeve elektronike, rritjen e shpenzimeve për udhëtimet jashtë shtetit, konferenca në marrëdhënie ndërkombëtare, rritjen e dietave të deputetëve si pasojë e rritje së pagave, pagesë së ekspertëve të jashtëm. 50 milionë lekë për sigurinë kibernetike dhe blerje pajisjesh.

-Kemi një rishpërndarje të transfertës të pakushtëzuar për mbetjet për në Elbasan dhe Gjirokastër. Propozohen pakësime në bashkitë Cërrik, Peqin, Rrogozhinë, Dropull, Këlcyrë, Memaliaj.
-SHISH me shpenzime operative 50 milionë lekë për aktivitete të institucionit.
-RTSH shtohen me 100 milionë lekë shpenzimet për shërbimin për shqiptarët jashtë kufirit, veprimtaritë artistike, orkestra simfonike etj
-Agjencinë Telegrafike shtohen shpenzimet me 6 milionë për arkivën dhe institucionet.
-Kinematografia, një punonjës dhe shpenzime te personelit me 1 milionë lekë për nevoja të institucionit.
-Tek arkivat me 30 milionë lekë shpenzime operative, për personelin.
-KLSH për 100 vjetorin e themelimit të institucionit.
-INSTAT shtohen 6 punonjës në organik me 60 milionë lekë, shpenzime personeli dhe operative. Për zhvillimin e statistikave të turizmit.
-Shkolla Magjistraturës, shtohet 1 punonjës shtohen 6.2 milionë shpenzime
-KLGJ 500 milionë lekë shpenzime personeli, operative.
-ILD 26.7 milionë lekë, për logjistikë dhe blerje pajisjesh.
-SPAK 200 milionë lekë, personeli dhe kapital për rikonstruksionin e godinës.
-Komisioneri i Prokurimit Publik, 8.8 milionë lekë për mirëmbajtjen e sistemit të ankesave dhe rikonstruksione zyrash.
-Komisioni i Mbrojtjes nga Diskriminimi 1 milionë lekë, 1 ekspert i jashtëm.
- Komisioni për të Drejtën e Informimit 8 milionë lekë për dixhitalizmin e programit të transparencës
-Autoriteti për Informimin për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, me 8 milionë lekë për ndërtim platforme.
-KQZ shtohen 134 milionë lekë shpenzime kapitale për financimin e sistemit të indeksimit, ruajtjes së pamjeve filmike, modulin e hartave të qendrave të votimit, shtohen shpenzimet operative 56 milionë për funksionimin e institucionit gjatë periudhës zgjedhore, shtohen shpenzimet për zgjedhjet parlamentare për zgjedhjet e 2025 me 500 milionë lekë.
-Shtohen shpenzimet nga Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave me 500 milionë lekë.
-Në GJK shtohen 5 punonjës, shtohen shpenzimet me 12 milionë nga 7 milionë lekë personeli dhe 5 për konferencat
-KPK dhe Komisionerit Publik i shtohen 32 punonjës për një kontratë 6 muaj dhe shpenzime personeli 48.1 milionë lekë.
-Drejtoria e shërbimeve qeveritare subvencione 100 milionë lekë duke reflektuar rritjen e pagave dhe fondi rezervë shtohet në 300 milionë lekë. Burimi do të jetë rritja e të ardhurave.”

Listimi i shtesave të cilat do të kalojnë për votim në seancën plenare, por nga ana tjetër mospërfshirja e asnjë prej amendamenteve të propozuara nga opozita, solli kundërshtimet e këtyre të fundit në Komisionin e Ekonomisë.

Asnjë koleg i opozitës propozimet që jep janë propozime që nuk vlejnë për ju. Propozimet janë bërë me amendamentet. Më shumë lekë për bujqësinë, arsimin shëndetësinë. Do ishte e udhës që në morinë  e propozimeve që bëhen nga opozita, nuk besoj që të gjitha janë të pavlera do ishte në nderin e komisionit, ato që i vlejnë jetës ekonomike të merren parasysh dhe jo faktin që të mospranohen se janë propozuar nga ne. Kështu siç është nuk e votoj si jep qytetarëve atë që duhet”, tha deputeti Arbi Agalliu.

T’i thua bëje buxhetin si dua unë”, iu përgjigj demokratit, Erion Braçe, të cilit Agalliu iu kthye duke thënë: “Më duket jo normale që s’ekziston një propozim që bën sens”.

Thotë të shtohet kjo, të shtohet kjo. Buxheti ka ca rregulla. Ka një deficit që duhet mbajtur në kontroll. Nuk mund të ketë më buxhet nëse doni këtë buxhet hajdeni në pushtet me votën e shqiptarëve”, i tha deputeti socialist më pas.

Ndër amendamentet e propozuara  nga PD përfshihet caktimi i minimumit jetik në 200 euro, rritja e pensioneve dhe deri te shtimi i fondeve për Onkologjikun etj. Ndërsa Partia e Lirisë ndalet tek pensionet, rritja pagave por dhe ndihmës ekonomike kryesisht.

Teksa edhe Komisionet e tjera e kanë votuar buxhetin nen për nen, është caktuar data 3 dhjetor për votimin përfundimtar të tij në seancën parlamentare. Në parim buxheti me një vlerë prej 8.2 miliardë euro u votua në 19 dhjetor mes debateve dhe protestave me 75 vota pro, 40 kundër dhe asnjë abstenim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos