Brenda këtij viti, sektorit bankar në vend pritet t’i shtohet edhe banka më e vjetër e Turqisë, e krijuar që prej kohës së Perandorisë Osmane.
Burime nga Banka e Shqipërisë konfirmojnë për A2CNN se Banka Ziraat, pas aplikimit që ka bërë vitin e kaluar, ka plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe është gati të shërbejë në tregun shqiptar. Nga një vlerësim paraprak i bërë nga Banka e Shqipërisë duket se kushtet plotësohen, por një vendimmarrje përfundimtare pritet të merret gjatë vitit.
Nëse kjo bankë fiton licencën në Shqipëri, bëhet e dyta me kapital turk në vendin tonë dhe licencimi i parë pas 18 vitesh që prej vitit 2007 kur banka e fundit e huaj mori të drejtën të operonte në Shqipëri.
Ziraat është bankë me profil kryesisht bujqësor, dhe që ka dhënë kontribut të rëndësishëm në këtë sektor në Turqi. Por në Shqipëri, fokusi i saj në kreditim nuk do të jetë vetëm tek bujqësia, por edhe më gjerë në fushat e tjera.
Banka Ziraat është shtetërore në Turqi, e cila u themelua si një fond modest bashkëpunimi në vitin 1863, tani renditet ndër asetet më të vlefshme në vend, me filiale në 20 shtete të ndryshme.
Nëse ajo arrin të hapë degë në Shqipëri, bëhemi shteti i pestë në Ballkan ku ka hyrë Ziraat, pasi ajo ka filial në Kosovë, Greqi, Bosnje-Hercegovinë dhe në Malin e Zi.
Aktualisht, në Shqipëri operojnë 11 banka nga të cilat gjashtë janë me kapital të huaj. Përveç Ziraat në tregun shqiptar këtë vit pritet të hyjnë edhe dy institucione të tjera bankare, Banka Shqiptare e Zhvillimit dhe Banka Evropiane e Investimeve. (A2 Televizion)