Bllokimi i aksit Librazhd-Elbasan, kreu i Doganave: Janë marrë masa për qarkullimin e mallrave

Nga A2 CNN
24 Shkurt 2026, 18:56 | Ekonomi

Bllokimi i aksit Librazhd-Elbasan, kreu i Doganave: Janë marrë masa

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, deklaroi sot se, pas bllokimit të lëvizjes në aksin Librazhd–Elbasan dhe anasjelltas, ky institucion ka marrë masa për të garantuar vijimësinë e qarkullimit të mallrave dhe kryerjen e formaliteteve doganore.

Më konkretisht Beja bën me dije se:

"Që në momentin e krijimit të situatës, strukturat doganore kanë trajtuar me prioritet shqetësimin e bizneseve dhe pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së mallrave dhe udhëtarëve. Për të shmangur pengesat në procedurat doganore, janë orientuar alternativa të reja lëvizjeje përmes pikave kufitare: Bllatë (Dibër), për mallrat që hyjnë nga Republika e Maqedonisë së Veriut apo përmes saj; Kakavijë, për mallrat që hyjnë nga Greqia apo përmes saj. Janë ndërmarrë masa për përforcimin e kapaciteteve logjistike dhe shtimin e personelit në degët kufitare Bllatë dhe Kakavijë, me qëllim përballimin e fluksit të shtuar dhe përshpejtimin e procedurave, deri në normalizimin e situatës rrugore.

Në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet homologe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, është siguruar mirëkuptim i plotë për lehtësimin e qarkullimit. Pala maqedonase do të mundësojë në pikën e Bllatës: Kalimin e kamionëve dhe trajlerave të ngarkuar nga ora 12:00–22:00; Kalimin 24 orë të mjeteve pa ngarkesë; Kalimin e produkteve agro që kërkojnë certifikim. Po ashtu, Dogana shqiptare vijon kontaktet edhe me palën kosovare për të mundësuar lehtësime të mëtejshme në hyrje-daljet e mjeteve dhe mallrave".

Sa i përket mallrave që kanë hyrë tashmë në territorin doganor shqiptar përmes Qafë-Thanës dhe ndodhen në aksin e bllokuar apo në ambientet doganore, zgjidhja teknike e ofruar është përdorimi i regjimit të Transitit të Jashtëm (T1), sipas Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë.

“Ky regjim lejon tranzitimin e mallrave nga një pikë doganore në një tjetër, përmes një territori jashtë territorit doganor shqiptar. Konkretisht, operatorët duhet të depozitojnë deklaratën doganore T1 në degën doganore Qafë-Thanë, me destinacion Bllatën (Dibër), si dhe të hartojnë një dokument transporti (CMR) për itinerarin e ri. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është e vetëdijshme për kostot shtesë që kjo situatë sjell për operatorët ekonomikë, si dhe për ndikimin në proceset e import-eksportit. Megjithatë, të gjitha strukturat janë angazhuar maksimalisht për të minimizuar pasojat dhe për të garantuar funksionimin sa më normal të aktivitetit tregtar”, shton ai.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos