I shtrirë në një hapësirë prej më shumë 384 hektarësh në fshatrat Viçidol, Berishë, Luzhë dhe Paç në Tropojë...Shqipëria do të ketë një park eolik ku do të prodhohet energji nga era me kapacitet 600 megavartorë.
“Shpresojmë që gjithçka të shkojë ashtu siç duhet dhe në harkun e 12 muajve pa llogaritur periudhën kur dimri është intensiv, ky park i madh i energjisë së erës në Tropojë të hyjë në rrjetin e prodhuesve të energjisë së rinovueshme në vendin tonë. Duke pasur parasysh eksperiencën e kompanisë dhe rrugëtimin e suksesshëm të kompanisë që siç e patë në hartën e pranisë së saj në Europë ka marshuar në disa vende para se të arrinte në Shqipëri, kam besim që do të përfitojmë dije të reja dhe një vlerë të shtuar në kulturën e punës dhe veprimit në një sektor kaq strategjik”, tha Kryeministri Rama, përcjell A2.
Vlera e investimit të projektit “Tropoja Wind Farm”, që synon të rrisë ndjeshëm prodhimin vendas të energjisë së pastër dhe të mbështesë strategjinë kombëtare të tranzicionit drejt burimeve të qëndrueshme parashikohet të jetë 1.2 miliardë euro. Parku eolik do të ndërtohet nga kompania amerikane “CWP.
“Parku eolik i Tropojës nuk është thjesht një investim energjetik, është një simbol i transformimit që po përjeton Shqipëria, një transformim drejt një ekonomie të qëndrueshme, më të fortë dhe më të hapur ndaj inovacionit. Investimet e huaja direkte janë treguesi më i qartë i besimit në stabilitetin tonë ekonomik dhe institucional. Vetëm në vitet e fundit, mbi 1,5 miliardë euro investime private janë angazhuar ose janë në proces në sektorin e energjisë, kryesisht në burime të rinovueshme si energjia diellore dhe ajo e erës”, shpjegoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Gjatë takimit për prezantimin e parkut eolik në Tropojë ku e pranishme ishte dhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn u dha edhe certifikata e autorizimit për realizimin e projektit.
“Me Tropojën dhe Monteçevën, ne po zhbllokojmë potencialin e madh të energjisë së rinovueshme të rajonit dhe po forcojmë bashkëpunimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e Komisionit Evropian, Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve dhe Agjencisë së Promovimit të Investimeve të Malit të Zi në avancimin e këtij vizioni të përbashkët për një të ardhme energjitike të pastër, ekonomikisht konkurruese dhe të sigurt të rajonit dhe të Evropës në tërësi”, tha Dimitar Enchev, Drejtor Ekzekutiv në CWP Europe.
Marrëveshja për ndërtimin e parkut ku do të prodhohet energji nga era u nënshtrua fillimisht në Forumin e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt në Tiranë tetorin e vitit të shkuar në praninë e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. (A2 Televizion)