Bujqësia një ndër sektorët kryesorë në vend për sa i përket ndikimit në ekonomi, por edhe numrit të të punësuarve, është futur në një krizë të fortë tashmë prej vitesh. Partitë politike kanë parashikuar në programet e tyre elektorale masa për zhvillimin e saj. Sa të realizueshme janë?
Bujqësia është futur tashmë në një cikët rënës. Vitin e kaluar, ky sektor u tkurr me 1.15%, për të tretin vit radhazi, duke sinjalizuar probleme të forta të prodhimit vendas dhe furnizimit të tregjeve.
Por çfarë premtojnë partitë politike?
Qeveria që kërkon një mandat të katërt, zotohet të zbatojë 100 projekte në bujqësi dhe të kryejë 500 milionë euro investime, në përpjekje që eksportet bujqësore të arrijnë vlerën e 1 miliard eurove. Në shërbim të bujqësisë, socialistët do të zbatojnë programin e Paketës së Maleve, ku 500 investitorët e parë do të përjashtohen nga taksat.
Nga ana tjetër, edhe demokratët kanë premtuar ndërhyrje të thella në bujqësi, për ta nxjerrë këtë sektor nga kriza nëse vijnë në pushtet.
Në programin e tyre ata kanë parashikuar subvencionim për çdo njësi prodhimi, kokë bagëti dhe fidan të blerë nga fermerët; mbrojtje sezonale e prodhimeve bujqësore; dalje e menjëhershme nga Ballkani i Hapur, pasi sipas demokratëve ka dëmtuar bujqësinë; Karta e ID do jetë NIPT-i i fermerit për subvencionet; TVSH-ja në sektorin e përpunimit do jetë e njëjtë në shitje dhe blerje; do të bëhet subvencionim i naftës deri në nivelin e kostos; subvencionim i normave të interesit deri në masën 80% për kreditë, si dhe do të krijohet agjencia e studimit të tregjeve të brendshme dhe të jashtme.
(A2 Televizion)