Balluku në përurimin e parkut diellor të Karavastasë: 10% e energjisë sot në vend prodhohet nga parqet fotovoltaike

Nga A2 CNN
10 Prill 2025, 17:44 | Ekonomi

Balluku në përurimin e parkut diellor të Karavastasë: 10% e

Përurohet parku diellor i Karavastasë. Impianti diellor më i madhi në Shqipëri dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor, me një kapacitet total prej 140 megavatësh. Një projekt i kompanisë së mirënjohur Voltalia, i cili i shërben difersifikimit të burimeve energjetike dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese të Shqipërisë.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Ministri francez për Europën, Benjamin Haddad, Zëvendësministri i MIE, Ceno Klosi, përfaqësues të Voltalia ishin pjesë e ceremonisë së zhvilluar në Karavasta, aty ku është ndërtuar edhe impianti diellor.

Transformimi i sektorit energjetik shqiptar, përmes jetësimit të një sërë projektesh të cilat kanë sjellë në Shqipëri kompani të njohura europiane. Një prej tyre është Voltalia. Gjatë fjalës së saj, Zëvendëskryeministrja Balluku tha se fakti që Voltalia erdhi në Shqipëri është një hap pozitiv edhe për kompani të tjera për të investuar në vendin tonë.

“Ky park patjetër mbart një sërë vlerash, siç është fakti i të qenit parku më i madh fotovolatik në Ballkan, siç është fakti që ne kemi arritur një çmim rekord i cili sot vazhdon dhe është në librat dhe në postimet e BERZH-it, që gjej rastin ta falënderoj për të gjithë suportin që i ka dhënë Shqipërisë në fushën e ngritjes së kapaciteteve të energjive të rinovueshme. Por ajo që këtu duhet thënë është që Voltalia për ne është një shembull që sot e themi në çdo tryezë ku ulemi me investitorët e huaj dhe unë përdor një fjali që them ‘shikoni Voltalian’. Voltalia erdhi në Shqipëri, jo vetëm që investoi në parkun e Karavastasë, por sot është duke ngritur dhe ndërtuar një park të ri, parkun e Spitallës. Dhe nëse Voltalia, kompania franceze e ekselencës vendosi që të vijë dhe të investojë në Shqipëri, patjetër që ju duhet të bëni të njëjtën gjë”, tha Balluku.

Sot, parqet diellore në vend prodhojnë 10% të totalit të energjisë në vend, ndërkohë që synohet që deri në vitin 2030 kjo shifër të shkojë në 30%. Diversifikimi i burimeve të rinovueshme mbetet një prioritet për Qeverinë Shqiptare. Nga ana tjetër investimet e vijueshme në sektor dhe përmirësimi i tregueseve bënë të mundur uljen e çmimit të energjisë elektrike për abonentët familjarë, duke sjellë një lehtësim për familjet shqiptare.

“Sot 10% e energjisë të prodhuar në vendin tonë vjen nga parqet fotovoltaike dhe çka synojmë ne për vitin 2030 është që ta çojmë këtë volum në 30%. E gjithë strategjia që Qeveria Shqiptare ka ndjekur në fushën energjetike është një strategji e cila garanton sigurinë energjetike, garanton që Shqipëria të kthehet brenda vitit 2030 në një eksportues neto nga një importues neto që është sot dhe mbi të gjitha garanton shërbim me cilësi të lartë dhe çmim më të ulët për qytetarët tanë”, nënvizoi Balluku.

Zëvendësministri Klosi, nga ana e tij, bëri të ditur se krahas diversifkimit të burimeve energjetike, në fokus është edhe rritja e kapaciteteve të ndërlidhjes së rrjetit energjetik shqiptar me vendet e rajonit dhe me rrjetet e Bashkimit Europian.

“Përveç ankandeve të suksesshme të mbështetjes së kapaciteteve të reja gjeneruese nga era dhe nga dielli sot angazhimi jonë është drejt rritjes së kapaciteteve ndërlidhëse të rrjetit energjetik shqiptar me vendet e rajonit dhe aksesin në rrjetet e BE-së duke bërë të mundur integrimin e sistemit energjetik shqiptar me atë të BE-së”, tha Klosi.

Impianti fotovoltaik në Spitallë, Durrës, është një tjetër projekt madhor ku Voltalia do të veprojë si zhvillues, ndërtues dhe operues. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos