Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi në parim projektbuxhetin e vitit 2025 me votën pro të mazhorancës e kundër të opozitës, raporton A2 CNN. Para nisjes për votën në parim edhe në seancën plenare të fillimit të javës që vjen, banka e Shqipërisë dha opinionin e saj mbi ligjin me të rëndësishëm ekonomik të vitit. Konsiderohet realist, por identifikon sektorët më problematikë që kërkojnë vëmendje të shtuar duke nisur nga kontratat e Partneritetit Publik Privat, planin e investimeve, por edhe skemën e pensioneve.
“Banka e Shqipërisë gjykon se financat publike do të përballen me një sfidë të dyfishtë. Duhet të gjenerojnë fonde për investime publike por duhet të sigurojnë dhe fonde të nevojshme për programe sociale për shtresat në nevojë. PPP në pr.buxhet e 2025 është përcaktuar një tavan i sipërm i vëllimit total i cili është 28.1% i produktit të brendshëm kombëtar. Dëshiron të tërheq vëmendjen se realizimi i treguesve të buxhetit ka një lloj problematike sidomos plani i investimeve duhet të ketë një shpërndarje të njëtrajtshme të investimeve dhe jo vetëm në një pjesë të vitit”, tha Luljeta Minxhozi, zëvendësguvernatore e Bankës.
Skemën e pensioneve zëvendësguvernatorja Minxhozi e cilëson si rrezik për financat publike për shkak plakjes së popullsisë dhe emigrimit të fuqisë punëtore. Banka e Shqipërisë përshëndet iniciativat për një rishikim të skemës së pensioneve. Duhet të garantojë një qëndrueshmëri afatgjatë me një ndikim të vogël në buxhetin e shtetit.
Deputet të opozitës por dhe mazhorancës ngritën edhe shqetësime të tjera sa i përket buxhetit të viti 2025. Reformimi i pagave, luftimi i informalitetit, bujqësia por dhe siguria kibernetike duhet të marrin më shumë vëmendje vitin e ardhshëm sipas tyre. Por vetë roli i Bankës Qendrore është thjesht këshillues.
“Hiqni dorë nga blerje karrigesh mirëmbajtje zyrash por të rialokohen fonde në drejtim të mbrojtjes kibernetike, jemi zbuluar. Kanë shkuar drejt sektorëve jetik siç është ai i shërbimeve shëndetësore. Dëmi më i madh bëhet atje. Mos të themi që janë ngjarje të ndodhura dy javë e gjysmë më para”, tha deputeti i PS, Erion Braçe. “Japim analizat e duhura. Kemi komitete që i këshillojmë por s’ndikojmë dot në politikën e pagave. Nuk kemi informacion nga sektori bankar për informalitetine punës”, tha Minxhozi.
Pas miratimit në parim edhe në seancën plenare javën që vjen, buxheti do të shqyrtohet nen për nen…mundësia e fundit për të reflektuar ndonjë ndryshim të kërkuara nga institucionet deri në votën finale në Parlamentin e Shqipërisë. (A2 Televizion)