Brenda këtij viti të gjithë profesionistët e lirë që parapaguan këstet e tatimit përpara se Gjykata Kushtetuese të shfuqizonte taksimin e tyre, do të marrin mbrapsht paratë. Akti Normativ ka marrë tashmë dritën jeshile nga Qeveria
“Qeveria përmes këtij akti normativ mori vendimin për kthimin e fondeve tek profesionistët e lirë, dhe nga ana tjetër edhe ndonjë detyrim eventual i cili është regjistruar gjatë kohës që ligji ishte në fuqi, u shuajt. Nga ky akt normativ përfitojnë 6450 profesionistë të lirë, që do rimbursohen me fond prej 501 milionë lekë. Parashikojmë që procesi të përfundojë brenda datës 31 dhjetor 2024, do të ngarkojmë Tatimet për mbarëvajtjen e gjithë procesit”, theksoi ministri Malaj.
Por ndërkohë ministri i Financave, Petrit Malaj paralajmëroi se qeveria mund të mos heqë dorë nga tatimi i profesioneve të lira në vijim.
“Qeveria do të bëjë një vlerësim të të gjitha përjashtimeve dhe normave të reduktuara që janë në fuqi dhe do të vendosim nëse përjashtimet do të vijojnë apo do të rishikohen”, shtoi ministri.
Në fund të muajit qershor 2024 Gjykata Kushtetuese rrëzoi disa nene të ligjit të tatimit mbi të ardhurat ku parashikohej tatimi i kësaj kategorie profesionistësh, pas kërkesës së bërë nga Kontabilistët, dhoma e Avokatisë dhe Partia demokratike.
Gjykata vlerësoi se tatimi ishte joproporcional dhe cenonte sigurinë juridike. Tatimi i profesionistëve të lirë u miratua në mars të vitit 2023 dhe parashikonte 15 për qind tatim kush ka të ardhura deri 14 milionë lekë, dhe 23 për qind kush merrte më shumë. (A2 Televizion)