Produktet po shtrenjtohen më shpjet këtë vit, marsi, muaji vendimtar për të matur forcën e “krizës së çmimeve”

Nga Mario Brakaj
9 Mars 2026, 19:15 | Ekonomi

 

Çmimet po rriten më shpejt këtë fillim-vit. Inflacioni, treguesi i zhvlerësimit të parasë në raport me shtrenjtimin e çmimeve u rrit në 2.5 për qind muajin e shkuar nga vetëm 1.9 për qind shkurtin e 2025-s. Treguesi u rrit me 0.2 pikë krahasuar me janarin. E kundërta ka ndodhur me inflacionin te ushqimet dhe pijet i cili ra në 1.7 për qind në shkurt.

Edison Zaçaj, pedagog ekonomie, tha: “Normalisht prisnim një inflacion më të ulët. Kjo për shkak se në dhjetor shumëkush shpenzon më shumë për shkak të festave të fundvitit dhe në atë periudhë inflacioni është rrjedhimisht më i lartë. Shpresojmë që inflacioni të vijë duke u ulur.”

Ndërsa nafta po rritet, pothuajse çdo produkt apo shërbim në Shqipëri pritet të ndjekë të njëjtën trajektore, duke rënduar buxhetet familjare. Nëse konfliktet në Lindjen e Mesme do të vazhdojnë të përshkallëzohen, ekonomia mund të përballet me një skenar të ngjashëm me atë të katër viteve më parë, kur inflacioni në vend arriti në mbi 8 për qind gjatë luftës Rusi-Ukrainë.

Fatos Çoçoli, eksperte për ekonominë, u shpreh: “Nëse rritet lënda djegëse, automatikisht kjo sjell një reaksion zinxhir te të gjitha produktet. Besoj se nuk do të jemi në të njëjtat kushte si pas mësymjes ruse në Ukrainë. Kjo pasi vendet e Gjirit nuk shqyhen për prodhim drithi siç ishte Ukraina. Goditja e saj rriti çmimi i drithit e rrjedhimisht bukës."

Në mbledhjen e ardhshme të Bankës së Shqipërisë pritet që një nga temat kryesore të diskutimit të jetë pikërisht ndikimi i zhvillimeve ndërkombëtare në inflacion dhe politikat që mund të ndërmerren për ta përballuar atë.

Mund të ketë edhe rishikim të kushteve të politikës monetare në rast se situata përshkallëzon”, vijon Zaçaj.

Ekonomia jonë i ka përballuar edhe më parë goditje të ngjashme, ndaj është krijuar një përvojë në reagimin e politikës monetare. Megjithatë, nëse inflacioni rritet, ai do të gërryejë fuqinë blerëse të qytetarëve, çka mbetet një shqetësim serioz”, tha Çoçoli.

Marsi pritet të shërbejë si një pikë e rëndësishme matjeje për ecurinë e çmimeve, pasi tensionet në Lindjen e Mesme nisën pikërisht në fillim të këtij muaji. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos