Deri në 450 mln euro në 2026, BSH shton tërheqjen e euros nga tregu valutor, shkak “superleku”

Nga Marjo Brakaj
20 Dhjetor 2025, 15:01 | Ekonomi

Banka e Shqipërisë do të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm për vitin 2026. Sipas informacioneve nga Banka Qendrore, ajo synon të blejë përmes ankandeve 330 – 450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. Objektivi i blerjeve është rritur ndjeshëm krahasuar me projeksionet në intervalin 270-350 milionë euro të parashikuar për vitin 2025.

Banka e Shqipërisë planifikon të tërheqë së paku 330 milionë euro nga tregu valutor vitin e ardhshëm. Në bazë të sasisë së monedhës europiane që do të futet në vend, blerjet mund të rriten deri në 450 milionë euro.

Deri në 450 mln euro në 2026, BSH shton tërheqjen e euros nga

Ky është niveli më i lartë ndonjëherë i planifikimeve që Banka Qendrore bën për të ndërhyrë në tregun valutor.

“Ka sinjale për një forcim të mëtejshëm të lekut. Për të ruajtur ekuilibrat, Banka e Shqipërisë ndërhyn duke tërhequr valutë nga tregu. Ky është mekanizmi”, tha kreu i Shoqatës së Agjencive të këmbimit Valutor, Dritan Vakaj.

Sipas kalendarit të Bankës Qendrore, ndërhyrjet në tregun valutor pritet të nisin në 19 shkurt për të vijuar në 13 dhe 24 mars. Blerjet planifikohet të përshpejtohen me 9 ankande vetëm në muajt qershor, korrik dhe gusht. Me ardhjen e vjeshtës , Banka planifikon të realizojë nga një ndërhyrje për secilin muaj, për të përmbyllur blerjet në 4 dhe 18 dhjetor 2025.

Deri në 450 mln euro në 2026, BSH shton tërheqjen e euros nga

“Pritet të hyjë më shumë euro si pasojë e turistëve, por edhe investimeve të huaj, remitancave apo eksporteve. Ndaj gjatë verës janë planifikuar edhe më shumë ndërhyrje”, tha Vakaj.

Shumat e mësipërme nuk përfshijnë blerjet e mundshme për qëllime të ndërhyrjes në tregun valutor, në funksion të stabilizimit të tregut apo objektivave të politikës monetare.

“Blerjet gjithnjë e më të mëdha të valutës nga Banka e Shqipërisë i detyrohen tendencës së vazhdueshme rënëse të kursit Euro-Lek. Oferta e lartë valutore ka bërë që kursi i monedhës europiane këtë vit të arrijë nivele të reja minimale historike, poshtë kufirit të 96.5 lekëve. Megjithatë, zhvlerësimi i monedhës europiane me bazë vjetore ka zbritur poshtë nivelit të 2%, duke u frenuar ndjeshëm krahasuar me tre vitet e mëparshme”, theksoi Vakaj.

Sipas informacionit të publikuar deri në shtator Banka e Shqipërisë ka blerë afërsisht 800 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Në pjesën më të madhe, bëhet fjalë për blerje jashtë kalendarit të ankandeve, të kryera me operacione të drejtpërdrejta, me qëllim për të shmangur forcimin e mëtejshëm të Lekut në kursin e këmbimit valutor. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos