Kërkohet paga e 13, në vendet e rajonit dhe ato të BE është tashmë realitet

Nga Marjo Brakaj
19 Dhjetor 2025, 15:27 | Ekonomi

Në fundvit, dritat ndizen, sheshet zbukurohen, por për shumë familje shqiptare, gëzimi i festave ndalet te llogaritë. Çmimet rriten, shporta shtrëngohet dhe paga mbaron para muajit. Në këtë realitet, kërkohet dhënia e pagës së 13-të. Kjo e fundit nuk shihet më si bonus, por si një frymëmarrje e domosdoshme.

“Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, në emër të qindra mijëra punonjësve shqiptarë, i drejtohet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, si institucioni përgjegjës për politikat buxhetore dhe fiskale, për të kërkuar me vendosmëri dhe urgjencë pagesën e Pagës së 13-të, në formën e shpërblimit vjetor, në prag të festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Kjo kërkesë nuk është privilegj, nuk është favor dhe as kërkesë e tepruar. Ajo është domosdoshmëri ekonomike dhe sociale, e diktuar nga realiteti i vështirë me të cilin përballen sot punëtorët dhe familjet shqiptare”, tha Kol Nikollaj, President i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë.

Në shumë vende të rajonit dhe të Bashkimit Europian, paga e 13-të është një praktikë e konsoliduar, që synon të lehtësojë barrën financiare të fundvitit dhe njëkohësisht të nxisë konsumin. Edhe në Shqipëri, një masë e tillë do të kishte efekt pozitiv jo vetëm për familjet, por edhe për ekonominë, duke gjallëruar tregun dhe biznesin e vogël.

“Në këto kushte, festat e fundvitit për shumë familje shqiptare janë kthyer nga gëzim në ankth ekonomik. Prindërit punonjës nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet minimale për ushqim, ngrohje, veshje apo dhurata simbolike për fëmijët e tyre. Paga e 13-të do të ishte një lehtësim real dhe konkret, që u jep mundësi punëtorëve të gëzojnë festat me dinjitet, siç ndodh kudo në botën e zhvilluar, dhe jo të përballen me borxhe, kredi apo sakrifica të rënda familjare”, tha Kol Nikollaj, President i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë.

Paga e 13-të mbetet një masë e domosdoshme për të garantuar stabilitet ekonomik për punonjësit dhe për të përballuar shpenzimet e fundvitit. Zbatimi i saj nuk është privilegj, por një përgjegjësi institucionale dhe një hap i rëndësishëm drejt një politike të drejtë pagash.

“Veçanërisht për punonjësit e arsimit, shëndetësisë, administratës publike, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, Policisë së Burgjeve, Gardës së Republikës, zjarrfikësve, si dhe punonjësit e kompanive publike (ujësjellës, OSHEE, OST, KESH, Albpetrol etj.), paga e 13-të është një shpërblim dinjiteti, për ata që garantojnë shërbime jetike, rend, siguri dhe funksionimin e shtetit. Shqipëria sot karakterizohet nga diferenca të mëdha dhe të padrejta mes pagave të larta dhe pagave të ulëta. Ndërkohë që një pjesë e vogël përfiton paga dhe privilegje shumë të larta, shumica e punonjësve jetojnë me paga që mezi mbulojnë jetesën”.

Kërkesa për pagën e 13-të është e mbështetur në nevojat reale ekonomike të punonjësve dhe ka precedent në vende të tjera. Vendimmarrja për zbatimin e saj është në dorën e institucioneve përgjegjëse dhe lidhet drejtpërdrejt me stabilitetin ekonomik dhe financiar të familjeve shqiptare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos