Hyrja e Shqipërisë në SEPA mund të zhvlerësojë më tej euron. Si çdo e mirë që e ka edhe një të keqe nga pas, rritja e numrit të transfertave të parave si pasojë e komisioneve ndjeshëm më të lira do të ndikojë në shtimin e valutës evropiane në qarkullim. Rrjedhimisht, vlera e saj në treg do të ulej më tej.
“Me futjen në SEPA është e logjikshme të presim shtim të valutës në qarkullim dhe rrjedhimisht zhvlerësim të euros. Kjo ka ndodhur madje ditët e fundit”, thotë për A2 CNN Dritan Vakaj, kreu i Shoqatës së Këmbimit Valutor.
Tashmë valuta europiane ka shkelur edhe “vijën” e kuqe të 97 lekëve duke u këmbyer për vetëm 96.74 lekë në blerje. Ky është niveli u ulët jo vetëm për këtë vit, po që na 2008-ta kur valuta europiane hyri në Shqipëri.
Me përfshirjen në Zonën Unike të Pagesave në Euro, tashmë në kursin e këmbimit nuk mund të flitet më për “vija të kuqe”. “Tendecat janë që flukset po rriten, qoftë investimet e huaja direkte, turizmi apo përfshirja në SEPA. Me këto tendenca ne thjesht shpresojmë që mos kemi rënie drastike në vijim”, thotë Vakaj.
Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes... ajo ligjore. Në ekuacionin e zhvlerësimit të euros, ekspertët nuk heqin dorë së përfshiri edhe paranë informale dhe atë kriminale. “Kjo do të thotë se ka mjaftueshëm euro në qarkullim dhe kjo do të thotë se ka jo vetëm euro formale por edhe euro nga kanale informale”, thotë për A2 CNN Eriola Hoxha, eksperte për ekonominë.
Euro po rrudhet shpejt, përballet me një realitet të ri shqiptar, ku fuqia vendase e parasë po fiton besim dhe pavarësi. Por mbetet për t’u parë nëse ky është një fund i përkohshëm, një kapitull i ri. “Mendoj se ka ardhur koha të hartojmë një startegji. Efektet negative janë në horizont. Deri tani është duket se kemi përfituar nga inflacioni i importuar. Vazhdoj t’i qëndroj mendimit se “zhvlerësimi i euros do të kthehet shpejt në fatkeqësi”, thotë Hoxhaj.
Krahasuar me fillim-vitin, të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se euro është zhvlerësuar me gati 2 lekë. (A2 Televizion)