“Jemi shumë dobët nga ekonomia”, shpenzimet e familjeve u zgjeruan me vetëm 1.5% vitin e shkuar

Nga Marjo Brakaj
8 Tetor 2025, 15:09 | Ekonomi

Për t’u ushqyer, veshur, kujdesur për shëndetin, paguar telefonin apo shkollën për fëmijët, një familje shqiptare vitin e shkuar shpenzoi mesatarisht 93 042 lekë. Në raport me vitin 2023, shpenzimet janë zgjeruar me rreth 1 367 lekë apo 1.5 për qind.

Xhonsila Hoxha, eksperte e ekonomisë, shprehet për A2: “Rritja ka ardhur kryesisht si pasojë e presioneve të larta inflacioniste të cilat sollën rritje çmimesh veçanërisht vitin e shkuar”.

Sipas anketës së kryer nga Instituti i Statistikave, pjesa më e madhe e shpenzimeve mujore, gati 40 për qind, kanë shkuar për ushqim dhe pije. 

“Kryesisht për bukë dhe bulmet. Edhe zarzavatet se duhen. Mishin e kemi rralluar. Kaq para kemi. Sa për të ngrënë”, thonë qytetarët.

Peshë të konsiderueshme për familjet shqiptare vitin e shkuar kanë pasur edhe shpenzimet për qiranë apo mobilimin e banesës, ndjekur nga drekat e darkat në restorante dhe transporti. Rreth 5 për qind e shpenzimeve mujore të familjeve rezulton të kenë shkuar për veshje dhe vetëm 3.5 për qind për arsimimin e fëmijëve.

“Kjo vjen si pasojë e dy arsyeve. Të ardhurat janë aq të ulëta sa shumica e tyre duhet të shkojë për ushqim dhe çmimet e këtyre të fundit janë rritur ndjeshëm”, thekson Hoxha.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se zgjerimi i konsumit të familjeve vitin e shkuar ishte ndjeshëm më i ulët se sa rritja ekonomike apo inflacioni. Pra, zgjerimi i Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë 2024-s me rreth 4 për qind nuk u përkthye në më shumë mirëqenie për shqiptarët, ndërsa rritja e çmimeve bëri që konsumi të ulej.

“Ky është një hendek shumë i madh që tregon se rritja ekonomike nuk është cilësore pasi ajo nuk shpërndahet në popullatë”, shprehet ekspertja e ekonomisë.

Gjetjet e INSTAT tregojnë se vitin e shkuar u shpenzuan mesatarisht çdo muaj 70.4 miliardë lekë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos