"Të mira janë, por s'i blejmë dot”, çmimet u rritën edhe në shtator. Ndikim patën qiratë e apartamenteve

Nga Marjo Brakaj
8 Tetor 2025, 14:58 | Ekonomi

Çmimet e produkteve dhe shërbimeve u rritën edhe në shtator. Ato kushtuan 2,4 për qind më tepër se shtatorin e vitit të shkuar.

“Pension 138 mijë lekë, rritje 3 mijë lekë... do shkosh të marrësh një byrek tre ditë... ça marr unë me ato... 141 mijë lekë? Kush ma shpjegon? Zarzavatet janë shumë të mira, por nuk i blejmë dot. Ja, kam blerë çaj se jam me grip”, thotë një qytetare për A2.

Inflacioni, treguesi i zhvlerësimit të parasë përballë rritjes së çmimeve, u rrit me 0.1 për qind krahasuar me gushtin e këtij viti. 

“Ka pasur pak rritje, por të lehtë të çmimeve do të thosha. Tani pritet vala e shtrenjtimit, pasi gjithçka vjen nga jashtë e nuk ka më prodhim vendas”, shprehet një tregtar.

Veç ushqimeve të cilat u rritën me 1.8 për qind krahasuar me shtatorin e një viti më parë, sipas përllogaritjeve të Institutit të Statistikave, në rritjen e inflacionit në shtator ndikim patën edhe qiratë e apartamenteve. Kjo si pasojë e flukseve të shtuara të studentëve që kërkonin një strehë në prag të vitit të ri akademik.

Faiken Idrizi, agjent imobiliar, thotë: “Çmimet brenda një viti janë rritur nga 20 deri në 25%, diçka që është e vështirë edhe për qytetarët”.

Flukset e shtuara të turistëve bënë që inflacioni gjatë shtatorit te baret dhe restorantet të rritej në 2.5 për qind nga 2.2 për qind që ishte në gusht.

Adrian Civici, ekspert për ekonominë, thotë për A2: “Çmimet kanë tendencën të përshtaten shumë më shpejt kur ka rritje kostosh, ndërsa kur kostot bien, tregu është më i ngadalshëm në reflektim. Kjo lidhet edhe me pritshmëritë e biznesit, mungesën e konkurrencës në disa segmente apo edhe zinxhirët e furnizimit që reagojnë me vonesë”.

Ekspertët paralajmërojnë ndërkohë se kërcënimi i një vale të re inflacioni mbetet i gjallë, sidomos për shkak të zhvillimeve gjeopolitike në Lindjen e Mesme, Ukrainë, dhe tensioneve tregtare globale.

“Luhatjet në çmimet ndërkombëtare të naftës, rritja e kostove të transportit detar për shkak të konflikteve, si dhe tensionet në tregjet ushqimore, janë faktorë që mund ta kthejnë inflacionin në një rrezik të ri. Shqipëria është e ekspozuar ndaj këtyre zhvillimeve për shkak të varësisë nga importet”, shpjegon Civici.

Edhe Banka e Shqipërisë, në deklaratat e fundit, nënvizon se rreziqet e jashtme nuk kanë kaluar, ndaj politika monetare dhe financiare mbetet në gatishmëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos