Qeveria shqiptare miratoi një vendim të ri që synon të zgjidhë çështjet e pronësisë, duke kompensuar pronarët dhe duke u dhënë të drejtën e pronësisë qytetarëve që kanë legalizuar banesat e tyre. Vendimi parashikon një fond prej rreth 1,2 miliardë lekësh për kompensimin financiar.
Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Durrës–Kavajë–Krujë, Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Elbasan, Zonas e Stimuluara, Shkodër, Korçë, Lezhë, Sarandë, Kamëz–Vorë, Pogradec, Lushnjë, Fier dhe Vlorë.
Zonat e përfshira në vendimin e qeverisë
Nëpërmjet këtij vendimi, 435 qytetarë që më parë janë pajisur me vendim legalizimi për banesat e tyre, përfitojnë të drejtën për të blerë parcelën ndërtimore sipas ligjit në fuqi.
Kjo u mundëson atyre të fitojnë pronësinë e plotë dhe të ligjshme mbi truallin dhe shtëpinë ku jetojnë, duke eliminuar përfundimisht pasiguritë ligjore që i kanë shoqëruar prej vitesh.
Nga ana tjetër, 515 pasuri të paluajtshme që janë prekur nga ndërtimet pa leje do të kompensohen financiarisht. Pronat në fjalë përfshijnë një sipërfaqe prej mbi 112 mijë metra katrorë dhe kompensimi u jep pronarëve një zgjidhje përfundimtare, duke i dhënë fund konflikteve të zgjatura dhe shpesh të vështira që kanë të bëjnë me të drejtën e pronësisë.
Ky vendim përbën një hap konkret drejt normalizimit të marrëdhënieve të qytetarëve me pronën, duke kthyer procesin e legalizimeve dhe kompensimeve në një mekanizëm të vërtetë të drejtësisë sociale. (A2 Televizion)