Bizneset dhe institucionet publike nuk po paguajnë detyrimet e sigurimeve punonjësit e tyre. Vetëm gjatë vitit të shkuar, detyrimet e tyre ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore u zgjeruan me 210 milionë lekë. Nga 24.4 miliardë lekë në vitin 2024, gropa e krijuar në skemën e pensioneve nga mospagesa e sigurimeve arriti në 26.3 miliardë lekë fundvitin e shkuar.
Ramadan Kondi, njohës i sistemit të pensioneve, thotë: “Po të shikojmë që sot paguajnë sigurimet shoqërore vetëm 38% e popullsisë në moshë pune, ky është një koefiçent shumë i ulët”.
Shkak kryesor i kësaj ecurie negative vlerësohet rritja e kostove për bizneset dhe rënia e likuiditetit. Shumë biznese, përballë vështirësive financiare, zgjedhin të paguajnë pagën neto për të mbajtur stafin, duke lënë pas dore derdhjen e kontributeve, çka çon në fryrjen e këtij stoku vit pas viti.
“Në vitin 2015, kur u reformua skema e pensioneve, vetë institucionet shtetërore bënë një punë të mirë në luftën ndaj fenomeneve negative, përfshirë informalitetin. Kjo ndikoi në shtimin e ndërgjegjësimit dhe rritjen e kontributeve. Por, dalëngadalë gjithçka u zbut dhe ndaj po ndodh kjo situatë”, shton Kondi.
Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se politika e rritjes së pagave nga qeveria në thelb të saj ka pikërisht derdhjen e më shumë kontributeve, për të mos lejuar skemën të shkojë në kolaps. Por, zgjerimi i detyrimeve ndaj saj nga bizneset dhe institucionet cenon jo vetëm stabilitetin fiskal aktualisht të sistemit të pensioneve, por po bëhet shkak për një problem më të madh social në të ardhmen. (A2 Televizion)