
Linja e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut është një investim për sigurinë, zhvillimin dhe integrimin e përbashkët europian. Kështu u shpreh ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, në ceremoninë e nisjes së punimeve në Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, linja 400 kV Elbasan-Bitola është një nga hallkat më të rëndësishme të Korridorit energjetik Lindje-Perëndim, pjesë e rëndësishme e Korridorit VIII.
“Projekti i linjës 400 kV Elbasan-Bitola, është një nga hallkat më të rëndësishme të Korridorit energjetik Lindje-Perëndim, pjesë e rëndësishme e Korridorit VIII. Ai përmbyll një boshllëk historik në rrjetin rajonal dhe krijon një lidhje të drejtpërdrejtë midis sistemeve tona energjetike, duke rritur ndjeshëm sigurinë e furnizimit për të dy palët dhe duke shërbyer si një instrument i cili garanton angazhimet e të dy shteteve për integrimin rajonal dhe europian të tregjeve tona, krahas integrimit politik në Bashkimin Europian. Kjo linjë nuk është vetëm një projekt bilateral. Ajo është pjesë e një vizioni më të gjerë, Korridorit VIII energjetik, që lidh Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe më tej Italinë. Përmes këtij korridori, ne po ndërtojmë një urë të re energjetike mes Lindjes dhe Perëndimit të Europës”, theksoi ministri.
Ministri Karakaçi tha se Shqipëria po kalon një fazë transformimi energjetik, duke u investuar maksimalisht jo vetëm në këtë projekt, por edhe të tjera.
“Duke e vlerësuar maksimalisht këtë projekt, ne jemi investuar intensivisht në pjesën e linjës që kalon përmes Shqipërisë dhe me krenari, por jo për të bërë konkurrencë, se nuk do të ishte vendi, mund të them se kemi arritur në 80% të punimeve për ndërtimin e linjës në territorin shqiptar. Ndërkohë paralelisht me këtë projekt, Shqipëria po avancon edhe në iniciativa të tjera strategjike. Linja e re 400 kV me Greqinë, aktualisht në fazë studimore dhe e mbështetur nga Bashkimi Evropian, do të rrisë kapacitetet ndërkufitare dhe do të mbështesë integrimin e burimeve të rinovueshme në shkallë të gjerë”.
Ministri nënvizoi se “një tjetër projekt me rëndësi strategjike të jashtëzakonshme është interkonjeksioni nënujor Shqipëri-Itali, i cili synon të krijojë një dalje të drejtpërdrejtë drejt një prej tregjeve më të mëdha të vendeve të Bashkimit Europian. Ky projekt do të jetë kyç për të shmangur humbjen e energjisë së prodhuar nga burimet e rinovueshme dhe për të maksimizuar vlerën ekonomike të saj”.
Sipas tij, nëpërmjet këtyre investimeve, Shqipëria nuk po ndërton vetëm linja transmetimi, po një sistem energjetik më fleksibël, më të sigurt, më të integruar dhe plotësisht në përputhje me standardet europiane.
“Në të njëjtën kohë, po forcojmë rolin tonë si një vend tranzit për energjinë e gjelbër të rajonit. Flukset e reja energjetike që do të kalojnë përmes territorit tonë do të lidhin prodhimin në Ballkanin Lindor me tregjet e Europës Perëndimore, duke krijuar kështu një mundësi të re zhvillimi për të gjithë rajonin”, theksoi ai.
(A2 Televizion)