Drejtësi që lufton korrupsion, ndryshe nuk ka as integrim evropian as mirëqenie për shqiptarët. Është ky emëruesi i përbashkët, në formë kushti që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë për Shqipërinë.
“Drejtësia do të shmangë korrupsionin dhe s'do të lejojë keqpërdorim e të mirave publike”, tha Silvio Gonzato, Ambasadori i BE-së në Shqipëri.
“Drejtësia që i trajton të gjithë në mënyrë të barabartë është thelbësore. Kjo është diçka që të gjithë biem dakord dhe është vendimtare”, u shpreh David Wisner, i ngarkuari me punë i SHBA-së në Tiranë.
Në këmbim vendi dhe qeveria do të kenë edhe më shumë mbështetje, ku nuk do të mungojnë edhe paratë. Por duhen reforma në... çdo hap i hedhur në rrugën e duhur do të shpërblehet me të holla.
“Kur secili prej hapave përmbushet ka një sasi të caktuar parash që lëvrohen në interes të Shqipërisë. Procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe kërkon shumë punë. Mund të kesh bërë shumë përpjekje, dhe përfitimet janë të vështira për t'u menaxhuar. Sa më shumë ecni përpara drejt BE aq më shumë vende do të integrohen ekonomikisht. Të themi të vërtetën Shqipëria është ende një treg i izoluar. Duhet të nxisim bashkëpunimin ekonomik fillimisht të vendeve të Ballkanit”, u shpreh Gonzato.
Nga Konferenca Rajonale “Balkonomics” i ngarkuari me punë i SHBA-së në Tiranë, David Wisner përsëriti qëndrimin se “Shqipëria e ka vendin në Europë.”
“Në Shqipëri në përqendrohemi tek mbrojtja, demokracia dhe biznesi. Dhe për këto çështje jemi duke punuar që të shohim atë lloj ndryshimi. Kemi qenë të përqendruar në reformën në drejtësi dhe kemi parë përparim të jashtëzakonshëm në drejtësi. Lufta në Ukrainë ka ndryshuar shumë gjëra. Është e domosdoshme që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e BE. Plani i rritjes është një simbol i madh sepse ka mundësi që të sjellë përparim tepër madhor dhe do të rrisin hapat e Ballkanit drejt BE” theksoi Wisner.
Konferenca Rajonale “Balkonomics” mblodhi në Tiranë rreth 28 liderë dhe ekspertë ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe Rajoni. Në thelb të diskutimeve ishte gjetja e një formule për të rritur ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor me qëllim shpejtimin e integrimit në “union”. (A2 Televizion)