Shqipëria po rregullon imazhin e saj në sytë e investitorëve të huaj, por duke mbetur gjithsesi në “vijën e kuqe” të vlerësimeve në drejtim të klimës së të bërit biznes. Në Indeksin e Besimit të Bizneseve mbi ecurinë e vitit të shkuar dhe pritshmëritë për në vijim të realizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, vendi u vlerësua me 47.57 nga 100 pikë të mundshme. Në krahasim me një vit më parë treguesi është përmirësuar me 4.15 pikë.
“Kemi pasur një përmirësim te indeksit, por ende jemi nën kufirin prej 50 pikësh. Ka gjera për të cilat duhet te shqetësohemi si fuqia punëtore apo praktikat monopoliste. Duhet të jemi të kualifikuar sipas standardeve evropiane me fokus kapitalin njerëzor”, tha Grant Van Cleve, president i AMCHAM.
Për të tretin vit me radhë, gjetja e fuqisë punëtore të kualifikuar është kthyer në shqetësimin kryesor të Dhomës Amerikane të tregtisë , për të tretin vit me radhë. Ky tregues mori vlerësimin më të ulët në Indeksin e Besimit të Bizneseve, vetëm 25.95 pikë, nga 100 të mundshme.
“Ka një rritje në krahasim me vitin e kaluar, me gati tre pikë por gjithsesi treguesi vijon të mbetet në nivele shumë të ulëta. Mungesa e fuqisë punëtore bashkë me disa parametra të tjerë janë shqetësimet kryesore”, u shpreh Neritan Mullaj, drejtor Ekzekutiv i AMCHAM.
Ndër problematikat që bizneset hasin në Shqipëri sipas AMCHAM janë edhe monopolet në tregje që sjellin konkurrencë të pandershme, informalitetit, burokracitë dhe sistemi fiskal që ndryshohet shpesh.
“Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat përballen shumë biznese dhe ju siguroj që çdo vit lexojmë rekomandimet e AMCHAM për të punuar mbi ato”, deklaroi Blendi Gonxhja, ministër i MEKI.
Në përmirësimin e përgjithshme të klimës së të bërit biznes në Shqipëri, kontributin kryesor këtë vit rezulton ta ketë dhënë ecuria e mirë ekonomike e vendit. Bizneset amerikane dhe ato vendase besojnë se perspektiva ekonomike e Shqipërisë është e kënaqshme duke ndikuar kështu pozitivisht në aktivitetin e tyre. (A2 Televizion)