“E premtja e zezë” shqiptare, sporti i huazuar i gjuetisë së uljeve është kthyer në modë

Nga Marjo Brakaj
29 Nëntor 2024, 15:07 | Ekonomi

Sporti i huazuar i gjuetisë së uljeve të çmimeve, pagëzuar si “E premtja e Zezë”, përherë e më shumë po bëhet pjesë edhe e realitetit shqiptar. Çdo vit e më shumë sipërmarrjet në vend po përpiqen të joshin konsumatorët që të hapin kuletat e tyre me anë të “çmimeve nën kosto”.

“Me kalimin e viteve shohim që “Black Friday” po afrohet më shumë me njerëzit. Janë ditët që njerëzit i presin më shumë. Këtë vit për “Black Friday” po ka më shumë uljes e më herët. Ka pasur shumë kërkesa”, thotë Armela Hazizi, shitëse.

Kryesisht në faqet e internetit e rrjetet sociale, por edhe në xhamat e dyqaneve apo hapësirat për promocion, kryesisht rrugën e Kavajës apo atë “Myslym Shyri”, gjen që nga syzet, telefonat, veshjet apo ushqimet me ulje nga 20 deri në 80 për qind.

“Ne i nisim përgatitjet pak më përpara me qëllim që të përballojmë shitjet për “Black Friday”. Zakonisht përzgjedhim produktet të cilat konsumatorët ose klientët janë të interesuar më shumë. Aktualisht kemi 1 mijë e 200 produkte me ulje për Black Friday”, thotë Kejsi Hyka, shitëse.

Një pjesë e mirë njerëzve shpesh kryejnë blerje qoftë edhe vetëm për hir të uljeve. “Do të gënjeja po të thosha se nuk jam futur në dyqan për të përfituar nga uljet. Sigurisht që çmimet me ofertë janë joshëse”, thonë blerësit.

Si një ditë tanimë e shënuar në kalendarin e blerjeve edhe të shqiptarëve, “E premtja e Zezë” po shndërrohet në një motiv që çon të ardhura të kënaqshme në xhepat e bizneseve shqiptare. “Deri më tani kemi rritje të shitjeve me 6 apo 7 herë. Sigurisht kjo faret nga biznesi se sa reale janë uljet”, thotë për A2 CNN Veler Pinderi, Shoqata Shqiptar E-Commerce.

Duke importuar edhe arsyen se pse kryhen blerjet kryesore, edhe në Shqipëri, pjesa më e madhe e tyre bëhet për festat e fundvitit. Origjina e “Black Friday” e përshtatur në shqip, “E premtja e Zezë” daton më shumë se një shekull e gjysmë më parë në  Filadelfia, në vitin e largët 1869 kur investitorët Jay Gould dhe Jim Fisk rritën çmimet e arit dhe shkaktuan një kaos në treg. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos