Eksperti i ekonomisë: Nga rritja e çmimit të naftës përfiton buxheti i shtetit

Nga A2 CNN
5 Prill 2026, 21:49 | Ekonomi

Ilir Ciko, ekspert ekonomie, ishte në një lidhje direkte me studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, ku komentoi rritjen e çmimit të naftës nga konflikti në Iran.

Sipas tij, nga rritja e çmimit përfiton buxheti i shtetit.

“Përsa i përket rritjes së çmimit ndërkombëtar të naftës, sigurisht që është krejtësisht jashtë kontrollit tonë. Sa i përket tregut, abuzimit që mund të kenë kompanitë në vend apo nivelit të kontrabandës, këto janë fenomene që njihen, janë parë në çdo situate. Vëmendja e të gjithëve, jo vetëm e shtetit, por edhe e shoqërisë dhe e të gjithë ekspertëve, nuk duhet që të ngrihet dhe të amplifikohet në periudha krize, pasi kjo është një problematikë e përhershme që ne e kemi dhe që është detyrë e institucioneve shtetërore që të ndjekin zgjidhjen e e saj. Ajo që mund të bëhet dhe që mund të preket lidhet me çështjen e çmimit të naftës që tregtohet në vend dhe si preket konsumatori shqiptar nga kjo. E kemi diskutuar shpesh që nafta është e taksuar shumë lart. Por, sërish më duhet të them që nuk është vendi këtu për të bërë këtë diskutim pasi taksat kanë qenë edhe më përpara. Ajo që është thelbësore dhe që duhet diskutuar lidhet me faktin që në të gjithë këtë kaos dhe krizë që lidhet jo vetëm me çmimin e naftës, por dhe të nënprodukteve të tjera, buxheti i shtetit është një përfitues i drejtpërdrejtë nga kjo situatë që po ndodh”, tha Ciko.

Eksperti shpjegoi më tej: “Jo vetëm që taksat janë të larta, por me rritjen e çmimit të naftës që importohet në Shqipëri, shteti përfiton sepse TVSH-ja që aplikohet mbi naftën i jep të ardhura shtesë të cilat nuk kanë qenë të programuara në buxhet. Dhe me llogari fare të thjeshta, po të bëni se sa ka ndryshuar çmimi nga vjet në sivjet, dhe po të shikojmë atë konsumin vjetor të Shqipërisë gjatë vitit 2025, me një llogari të thjeshtë i bie që pa bërë asnjë reformë fiskale, pa bërë asnjë ndryshim, shteti përfiton mbi 70 milionë euro duke zbatuar të njëjtat taksa, të njëjtin nivel TVSH-je dhe kjo vjen vetëm për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Më dua të theksoj këtu që nga ky këndvështrim institucionet shtetërore janë pak në një pozicion konflikt interesi, pasi me rritjen e çmimit ato rrisin dhe të ardhurat në buxhet.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos