Nga veriu në jug, lindje apo perëndim, strukturat e shërbimeve por dhe ato akomoduese po përgatiten të mirëpresin për festat e fundvitit, shqiptarë e të huaj.
Ndonëse pak javë na ndajnë, hotelet por dhe restorantet kanë nisur tashmë rezervimet si për Krishtlindjet por dhe darkën e Vitit të Ri.
Për ata qytetarë të cilët preferojnë të kalojnë festat apo pushimet në zonat malore, Shkodra ka nisur të prezantojë ofertën e saj të fundvitit, jo vetëm për vendasit por edhe për vizitorët.
“E mrekullueshme, absolutisht e bukur, familjare, mund të dallosh kulturën tek rrugët në qytet, është vërtetë mirë, është shumë këndshëm duket shume këndshëm, me siguri do rri dy dite dhe është vërtët këndshëm,” shprehet një prej tyre.
Mikpritja por dhe shërbimi i duhur ka rikthyer vizitorët që edhe këtë fundvit të kalojnë pushimet e tyre në këto qytete të Shqipërisë.
Nga zonat e ftohta e me dëborë, prenotimet janë shtrirë edhe në Shqipërinë e mesme. Qyteti bregdetar i Durrësit, një destinacion turistik i përvitshëm, ka regjistruar një pjesë të mirë të prenotimeve.
Turistë nga vende të Ballkanit, por edhe Italia fqinje kanë prenotuar paketa turistike 3 ditore. Oferta me çmime të reduktuara për të rritur konkurrencën me qytetet e tjera, Vlora është gati për të pritur këto festa.
Operatorët turistikë prezantojnë paketën e larmishme, nga ushqime të shumëllojshme e deri tek muzika live. Numrin më të lartë të rezervimeve të deritanishme e mbajnë qytetarët e Vlorës të ndjekur nga diaspora, por nuk mungojnë as të huajt.
Pritshmëritë e bizneseve për këtë fundvit janë më të larta teksa parashikojnë një rritje të rezervimeve por dhe fitimeve krahasuar me vitet e kaluara. (A2 Televizion)