Gati 4 milionë euro për një javë! Kaq para’ shpenzoi Korporata Elektroenergjetike Shqiptare për të blerë energji për periudhën 23-29 dhjetor. Në total u siguruan 33 mijë e 600 megavat/orë energji elektrike me çmim mesatar 118.5 euro.
Për shkak të kërkesës së lartë që shumë vende europiane po kanë në prag të fundvitit, të dhënat nga bursa hungareze HUPX tregojnë se ndonëse me luhatje çmimi i energjisë elektrike po rritet. Nga më pak se 87 euro të shtunën, një megavat-orë energji elektrike kushtoi mbi 100 euro të hënën.
Mungesa e reshjeve gjatë vjeshtës dhe në ditët e para të dhjetorit, ulën në 1 mijë e 272 metër kub për sekondë rezervën hidrike në Kaskadën e Drinit. Në raport me dhjetorin e një viti më parë, rezerva hidrike është tkurrur me 10 për qind, por duke mbetur gjithsesi mbi mesataret shumëvjeçare, shkruan A2.
Ky vit nuk ka qenë shumë i mbarë në drejtim të prodhimit të energjisë elektrike. Të dhënat nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se në periudhën janar-tetor u prodhua. rreth 6.36 milionë megavat/orë energji apo 0.74 milionë megavat/orë energji më pak se 10-mujori i vitit të kaluar kur u prodhua rreth 7.1 milionë megavat/orë.
Situata në sektorin hidrik pritet të ndryshojë me reshjet që kanë nisur duke rikthyer edhe Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare te eksportet. (A2 Televizion)