“Nuk kemi besim te këto. Unë po të kem lekë i fus në bankë më mirë se sa te pensionet private".
Si në çdo treg, edhe këtu ka mosbesim. Ndaj për t’i dhënë një tjetër hov tregut që ka njohur rritje, por të ngadaltë... rol ka marrë qeveria.
Në konsultim publik është hedhur projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për fondet e pensionit privat”.
Ministria e Financave tha se: “Nëpërmjet këtyre ndryshimeve synohet forcimi i kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës të tregut të pensioneve private, rritja e standardeve të qeverisjes, administrimit të riskut, transparencës dhe mbrojtjes së anëtarëve e përfituesve të skemave të pensionit privat. Projektligji synon të sigurojë përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit me standardet evropiane në fushën e pensioneve private, në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit.”
Drafti përcakton se, nëse një punëmarrës ndërpret marrëdhënien e punës, ai vazhdon të gëzojë të drejtat që ka fituar deri në atë moment. Ndërkohë, nëse me ligjin aktual një person duhet të kalojë 5 vite punë në një biznes që të fitojë të drejtën mbi paratë e derdhura nga punëdhënësi në ‘fondin e pensionit privat’, ky kusht tashmë është ulur në tre vite.
Ministria e Financave sqaroi se: “Këto të drejta ruhen edhe nëse anëtari transferohet ose punësohet te një punëdhënës tjetër. Gjithashtu, periudha që një punonjës duhet të presë për të fituar të drejtën mbi kontributet e paguara nga punëdhënësi nuk mund të jetë më e gjatë se tre vjet. Përpara anëtarësimit, punëdhënësi ose sponsori do të duhet ta informojë punëmarrësin edhe për mënyrën se si përfundimi i marrëdhënies së punës mund të ndikojë mbi të drejtat e tij në fondin e pensionit.”
Gjithashtu forcohen masat për të mbrojtur paratë e qytetarëve në rast të falimentimit të kompanisë. Asetet e fondit të pensionit nuk duhet të konsiderohen pjesë e pasurisë së biznesit apo të përdoren për të shlyer borxhet e saj.
“Kjo synon të mbrojë kursimet e anëtarëve në rast se punëdhënësi ose subjekti që ka krijuar skemën përballet me falimentim. Aktivet e fondit duhet të mbeten të rezervuara për anëtarët dhe përfituesit dhe të mos përdoren për shlyerjen e detyrimeve të sponsorit”, tha Ministria e Financave.
Ndryshimet e propozuara në tërësi synojnë të mbrojnë dhe të bëjnë më shumë transparencë mbi të gjitha format e pensionit privat, qoftë fond pensioni individual apo fond i krijuar nga biznesi. Më shumë informacion duhet të marrin qytetarët si përpara anëtarësimit ashtu edhe gjatë qëndrimit në skemë. (A2 Televizion)