Shqipëria rritet, por ngadalë. BERZH parashikon PBB 3.5% edhe për vitin e ardhshëm

Nga Marjo Brakaj
24 Shtator 2026, 14:45 | Ekonomi

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim parashikon se ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 3.5 për qind deri në fund të vitit. Institucioni më i madh kredi-dhënës në Europë parashikon se të njëjtën ecuri vendi do të ketë edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Elton Haxhi, ish-zv/ministër i Financave, tha për A2CNN: “Mbetet një shifër relativisht e mirë për t’u vlerësuar nga ana e zhvillimit, megjithëse larg asaj rritjeje që do të përkthehej në më shumë mirëqenie për qytetarët”.

BERZH vëren se, vazhdimi i reformave strukturore, një angazhim i fortë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe potenciali për të marrë më shumë fonde dhe financime nga ky i fundit, do të jenë një kah mbështetës i rritjes ekonomike.

“Shifra prej 3.5 për qind është i vetmi lajm pozitiv, pasi po të lexojmë me rreshtash, rritja nuk vjen nga të gjithë sektorët, por vetëm nga 2 sektorë që janë turizmi dhe ndërtimi”, tha Haxhi.

Pritshmëritë e “BERZH” janë thuajse në të njëjtën linjë edhe me vlerësimin e fundit të bërë nga Banka Botërore. Më optimiste janë qeveria, bashkë me Ministrinë e Financave dhe pret që ekonomia të rritet në 3.8 për qind. 

“Gjithsesi kjo mbetet një shifër e pamjaftueshme për të sjellë më shumë mirëqenie te qytetarët. Për të pasur më shumë të ardhura shqiptarët, duket që rritja ekonomike të jetë mbi 5 për qind”, theksoi Haxhi.

Në vlerësimin që i është bërë ekonomive të Ballkanit Perëndimor nga BERZH, rritjen më të lartë thuhet se do e kenë Kosova me 4 për qind. Lista pasohet nga Shqipëria, për të vijuar me Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi me 3.2 dhe Serbinë me 3 për qind. Në fund Bosnjë Hercegovina me 2.7 për qind. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos