Nga sot, 7 tetor, Shqipëria është bërë zyrtarisht pjesë e sistemit europian të pagesave SEPA. Ky integrim do të sjellë tarifa më të ulëta, siguri më të lartë dhe standarde europiane për pagesat ndërkombëtare, si për qytetarët ashtu edhe për bizneset shqiptare.
Gjatë realizimit të transaksionit të parë përmes SEPA-s, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi se një transfertë nga Tirana në një qytet të BE-së tashmë kushton 5 herë më pak dhe është më e sigurt.
Ai nënvizoi se ky është një hap konkret drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Sot jemi krenarë që Shqipëria është pjesë e këtij sistemi europian të pagesave. BSH bën thirrje që të promovohen shërbimet SEPA, të investojnë më tej në platformat e tyre digjitale. SEPA përkthen vizionin tonë në përfitime të prekshme për qytetarët dhe bizneset. Kosto të ulëta, transferimi i parave nga Shqipëria drejt vendeve që përdorin SEPA, do kushtojnë 5 herë më pak. Një pagesë nga Tirana në Romë, nuk do kushtojë sa një pagesë brenda Tiranës. Ky është standard europian që bëhet i realizueshëm në Shqipëri. Ndikimi i SEPA do jetë më i gjerë, do ketë kursime. Integrimi në SEPA përkthehet në përfitime shoqërore dhe rajonale. Integrimi në SEPA e bën tregun tonë financiar më të besueshëm, rrit gatishmëri për integrime të tjera në BE. Efekti praktik është i trefishtë, tarifa të ulëta, më shumë siguri, dhe garanci institucionale”, tha Sejko.
Ndërkohë, Ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato, e cilësoi përfshirjen e Shqipërisë në SEPA si një moment historik që na afron me vendet e BE-së, duke shtuar se kjo nismë lehtëson transaksionet edhe për turistët.
“Ne duam që të ketë përfitime konkrete për qytetarët. Shqiptarët ndihen të barabartë me çdo qytetar tjetër të BE-së. Angazhimet politike, kur ndiqen me vendosmëri, mund të arrihen. Transaksionet do të jenë më të thjeshta, edhe për turistët më të lehta dhe të sigurta”, u shpreh ambasadori.
SEPA përfshin vendet e BE-së dhe disa vende jashtë saj që adoptojnë euro për transaksione të standardizuara, të shpejta dhe me kosto të ulët. Tani, edhe Shqipëria dhe Mali i Zi janë pjesë zyrtare e këtij sistemi. (A2 Televizion)