Shqipëria po kërkon shtigje të reja për zhvillimin e turizmit. Në ditën Botërore dedikuar këtij sektori, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e vuri edhe një herë theksin tek turistët cilësorë, që sjellin më shumë para.
“Ne duam ta quajmë turizëm i qëndrueshëm, që të mos jetë turizëm masiv, kur na vijnë miliona e miliona. Sigurisht ne jemi në kohën që numërojmë milionat e turistëve që po rriten, numërojmë miliardat e eurove që hyjnë në ekonomi. Në 6 muajt e parë jemi në rritje krahasuar me 6 muajt e vitit të kaluar, pra të gjitha këto janë shumë të mira, por që ta bëjmë të qëndrueshëm na duhet ta shtrijmë gjatë gjithë vitit dhe ta shtrijmë në të gjithë territorin”, tha Mirela Kumbaro, raporton A2.
Avantazh i madh për zhvillimin turistik jo vetëm të Shqipërisë por edhe të rajonit, janë ofertat e përbashkëta turistike mes shteteve.
“Një paketë gjithëpërfshirëse turistike-rajonale mund të nxisë më shumë interesin e turistëve për shkak të karakterit komplementar dhe të harmonizuar të vlerave që mban ky rajon”, tha Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së, Zana Çela.
Në përpjekje për gjetjen e shtigjeve të reja, koordinatorja kombëtare për turizmin, Antonela Dhimolea tregoi edhe formulën e re me të cilën do të joshen të huajt.
“Do të përdoren ata që njihen si “influencer”. Nga brenda dhe jashtë vendit me qëllim përhapjen e namit të mirë të Shqipërisë”, deklaroi Antonela Dhimolea, Koordinatorja Kombëtare e CEI/SEECP.
Këtë vit konferenca ndërkombëtare me temë “Turizmi në Evropën Lindore dhe Juglindore - Shtigje të Reja të Zhvillimit", u zhvillua në Tiranë, ku u bë një panoramë edhe e performancës së sektorit këtë vit.
Mbi 8.5 milionë vizitorë erdhën në Shqipëri në 8 muaj rreth 20 për iqnd më shumë se vjet, ndërkohë vetëm për gjashtëmujorin e parë të vitit të huajt sollën 1,9 miliardë euro, shkruan A2. (A2 Televizion)