“Jo më shit-blerje me euro apo dollarë”, 28 propozime ligjore të shtrira në katër drejtime për paketën fiskale 2025

Nga Marjo Brakaj
11 Nëntor 2024, 23:03 | Ekonomi

Nga moslejimi i shitjeve dhe blerjeve me para të huaja, te rregullimi i tregut të akomodimit apo rivendosja e shkallës së kompensimit të fermerëve në masën 20% të TVSH. Dhoma e Tregtisë Tiranë dhe 7 shoqata biznesi kanë 28 propozime ligjore të shtrira në katër drejtime për paketën fiskale 2025, shkruan A2 CNN.

“Miratimi i Paketës Fiskale 2025, duhet të jetë momenti fundor ku nuk do të ketë në periudhën e zbatimit të Strategjisë Afatmesme 2024-2027 ndryshime të tjera ligjore që prekin lirinë ekonomike norma tatimore dhe ndryshimet që ndërhyjnë në planin e biznesit nëpërmjet modifikimit të normave tatimore”, deklaron Dhoma e Tregtisë e Tiranës.

Në sektorin bujqësor kërkohet që TVSH për sektorin e agro-përpunimit të bëhet 5 deri në 7%, ndërsa ajo e plehëruesve organike të jetë zero. Gjithashtu, kërkohet përjashtimi nga TVSH për investimet në teknologji të gjelbra, heqja e akcizës për lëndën djegëse. Shoqatat e bizneseve kërkojnë që paketa fiskale e vitit të ardhshëm të përfshijë thjeshtimin e deklarimeve tatimore për bizneset e vogla, vendosjen e lotit në faturat tregtare të shitjes dhe financime preferenciale dhe garanci për huamarrje: “Ndiejmë nevojën për mbështetjen tuaj për përmirësime të ngarkesës fiskale. Nuk duhet të krijojmë përshtypje përfitimi në kurriz të Buxhetit të Shtetit, por kërkojmë njëkohësisht një qasje për luftën kundër informalitetit dhe përpjekjeve për formalizimin e ekonomisë, për t’i dhënë sipërmarrjes një frymëmarrje dhe mbështetje financiare që është e domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm, rritjen e konkurrueshmërisë dhe inovacionit”.

Dhoma e Tregtisë Tiranë dhe 7 shoqatat e biznesit kërkojnë gjithashtu marrjen e masave për uljen e sasisë së parave fizike në qarkullim, hartimin e një plani lidhur me deeuroizimin apo menaxhimin e riskut tatimor sipas gjurmimit të parasë.

Ndryshe nga vitet e tjera të mëhershme, për 2025 ende nuk ka një paketë fiskale. Ajo pritet të hartohet bazuar te kërkesat e grupeve të interesit dhe deputetëve gjatë komisioneve parlamentare. 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos