"Jo më zjarre e ndotje", nis depozitimi i mbetjeve në landfillin e Sherishtës, në Vlorë

Nga Marjo Brakaj
18 Qershor 2025, 12:15 | Ekonomi

Teksa qyteti hap dyert për mijëra turistë, një prej sfidave më të mëdha –ajo e plehrave – ka nisur të marrë zgjidhje me vënien në funksion të Landfillit të Sherishtës. Një investim i mbështetur nga qeveria gjermane që synon t’i japë fund skenave të zakonshme të ndotjes dhe erërave të pakëndshme në pikun e sezonit.

“Kemi nisur të përdorim qelizën e parë të landfillit të Sherishtës. Në tre muajt e verës arrijmë deri në 600 tonë mbetje në ditë. Landfilli është konceptuar për 20 vite përdorim dhe do të zgjerohet me katër qeliza në total”, tha Ermal Dredha, kryetar i Bashkisë Vlorë.

Me një fond prej 25 milionë euro, ku 12 milionë janë kredi nga KfW dhe pjesa tjetër grant, ky projekt është ndër më të mëdhenjtë e ndërmarrë në jug të vendit për menaxhimin e mbetjeve. Por puna nuk ndalet këtu. Faza e dytë është ngritja e Qendrës për Menaxhimin e Mbetjeve, ku mbetjet do të ndahen në të riciklueshme dhe të pariciklueshme – një hap drejt ekonomisë qarkulluese dhe qyteteve më të pastra.

“Landfilli dhe qendra për përpunimin e mbetjeve përbëjnë një sistem të integruar që synon të sjellë zgjidhje të qëndrueshme për qytetin”, shtoi Dredha.

Faza e fundit? Mbyllja përfundimtare e fushës së vjetër të plehrave, një plagë urbane në mes të Vlorës që pak ditë më parë u përfshi nga flakët.

“Po bëjmë ndërhyrje emergjente me mjetet që kemi, por projekti për kapsulimin final është parashikuar të përfundojë deri në vitin 2027. Aty ka 40 vite mbetje të kompostuara – vetëm magjia mund të premtojë që zjarri të mos ndodhë më”, deklaroi Dredha.

Sezoni veror është një provë e vërtetë – me fluks turistësh dhe tonelata mbetjesh që shtohen përditë. Nga ana tjetër, fusha e vjetër e mbetjeve, ende aktive dhe e pambuluar, mbart rrezikun e zjarreve dhe ndotjes për qytetin. Deri në vitin 2027 premtohet mbyllja e saj, por në këtë betejë kundër plehrave, koha shpesh punon kundër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos