Ka ndikuar ulja e komisioneve, BSH: Shqiptarët kanë kursyer 70 milionë euro nga SEPA

Nga Marjo Brakaj
14 Maj 2026, 17:52 | Ekonomi

Rreth 70 milionë euro në 7 muaj. Kaq para kanë kursyer shqiptarët sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë nga nisja e transaksioneve në Zonën Unike të Pagesave, SEPA.

Holta Zaçaj, zëvendësguvernatore e parë e Bankës së Shqipërisë, u shpreh: “Qytetarët kanë filluar të kryejnë më shumë transferta, kemi 363 mijë transferta, të cilat në total shkojnë në 4.3 miliardë euro. Është qartë një mënyrë që ka inkurajuar transfertat. Është një metodë që ndihmon jo vetëm për të kursyer, por edhe për të “cashless economy”, e cila përbën një nga prioritetet e Bankës së Shqipërisë”.

Pjesa më e madhe e transfertave ndërkufitare në euro është kryer në rrugë elektronike, falë edhe tarifave më të ulëta që aplikohen në këtë rast, shkruan A2.

Holta Zaçaj theksoi: “Një shifër tjetër që ndoshta vlen të merret në konsideratë është fakti që 68% e transfertave në nisje, pra që nisen nga Shqipëria, janë të kryera online. Pra. Jo vetëm që kemi përdorim dhe është parë utiliteti i faktit që ne jemi anëtarësuar në SEPA, por kemi ehe një rritje të informacionit dhe përdorimit të platformave, që është një shenjë tjetër e digjitalizimit”.

Ndërkohë, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë edhe për një orientim të qytetarëve brenda vendit drejt pagesave elektronike, numri i të cilave arriti në 29 për frymë në vitin 2025,  duke u trefishuar në raport me vitin 2020.

“67% e transfertave janë kryer me karta, ndërsa 20% e tyre janë kryer në platformat online. Trendi është premtues që qytetarët shqiptarë kanë fiolluar të përdorin të gjithë instrumentet e rinj, siç janë kartat apo platformat online. Sfidë e përhershme mbetet edukimi financiar. Këto shërbime janë aty, mund të jenë të aksesueshme, por mbetet për t’u bërë më shumë për të bërë të njohur që të gjithë të përfitojnë nga digjitalizimi dhe ne të arrijmë të kemi  një ekonomi sa më pak të varur nga përdorimi i cash-it dhe informaliteti i saj”, tha Zaçaj.

Shqipëria nisi transaksionet e para në euro përmes SEPA-s më 7 tetor. Përmes SEPA-s, për vlera transaksionesh deri në 100 mijë euro që kryhen në rrugë elektronike, tavani i komisionit nuk mund të jetë më shumë sesa 0.01% e shumës, pra 1-10 euro.

Dhe për vlera transaksionesh ndërbankare mbi 100 mijë euro, këto komisione nuk mund të shkojnë më shumë sesa 25 euro. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos