Krerët e Doganave nga Ballkani dhe vendet e BE-së takohen në Tiranë, zbardhen detajet e konferencës

Nga A2 CNN
12 Qershor 2025, 16:41 | Ekonomi

Krerët e Doganave nga Ballkani dhe vendet e BE-së takohen në

Drejtorët e përgjithshëm të administratave doganore nga Ballkani Perëndimor dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian u mblodhën sot në Tiranë ku morën pjesë në konferencën e dytë të nivelit të lartë me temë: “Partneriteti doganor për një Evropë të lidhur”.

Ky aktivitet shërbeu si një platformë kyçe për të forcuar bashkëpunimin strategjik doganor, mbështetur objektivat e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe për të përshpejtuar përafrimin e rajonit me standardet e Bashkimit Evropian.

Konferenca përfundoi me miratimin e një Deklarate të Përbashkët, ku palët riafirmuan angazhimin për përshpejtimin e harmonizimit me Kodin Doganor të BE-së, zgjerimin dhe institucionalizimin e Korsive të Gjelbërta dhe Blu, si dhe rritjen e shkëmbimit të të dhënave në kohë reale përmes sistemit SEED+.

U theksua edhe rëndësia e thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me sektorin privat, si dhe mbështetja për njohjen dhe zhvillimin e programeve të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (AEO).

Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në fjalën e saj përshëndetëse, nënvizoi se procesi i zgjerimit të BE-së dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor përbëjnë investimin më të rëndësishëm gjeopolitik të Bashkimit Evropian në këtë dekadë.

Ajo theksoi se anëtarësimi në BE nuk ka të bëjë vetëm me zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin, por edhe me vlerat e përbashkëta evropiane që bashkojnë popujt e rajonit.

Balluku shprehu besimin se, pas shumë sfidash, rajoni është më pranë se kurrë hyrjes në Bashkimin Evropian, falë angazhimit të administratave kombëtare dhe vullnetit politik të vendeve anëtare.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se Shqipëria po zhvillon reforma gjithëpërfshirëse në administratën doganore, të cilat janë ndër më të mëdhatë në historinë e vendit, duke u fokusuar në përafrimin me standardet e BE-së. Ai theksoi se me hapjen e Kapitullit 29 “Dogana” në procesin e anëtarësimit, qeveria po punon intensivisht për modernizimin e procedurave doganore dhe përgatitjen për t’u bërë pjesë e Unionit Doganor të BE-së.

Edna Karadza, menaxhere e Projektit SEED+ në Sekretariatin e CEFTA, deklaroi se digjitalizimi është thelbësor për ndërtimin e tregut të përbashkët rajonal.

Ajo theksoi se SEED+ është instrumenti operacional pas nismës së Korsive të Gjelbërta dhe Blu, që siguron shkëmbimin e të dhënave në kohë reale, duke mundësuar procedura doganore më të shpejta, më efikase dhe më transparente.

Karadza nënvizoi se ky sistem mbështet objektivat kryesore të Planit të Rritjes së BE-së për lidhje, modernizim dhe integrim me sistemet doganore evropiane.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli tha se përparësia  kryesore është krijimi i një sistemi efikas dhe transparent doganor, që jo vetëm lehtëson tregtinë e ligjshme, por gjithashtu forcon luftën kundër kontrabandës, trafiqeve dhe çdo forme tjetër të shkeljes së ligjit.

“Ky proces kërkon modernizim dhe përmirësim të vazhdueshëm të sistemeve teknologjike, kapaciteteve menaxheriale, si dhe bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar”, u shpreh ai.

Një dimension thelbësor në këtë proces, vuri në dukje Gazheli, është asistenca dhe bashkëpunimi me administratat doganore të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, veçanërisht me ato fqinjë të Shqipërisë, si Italia dhe Greqia.

“Për shembull, zbatimi i iniciativave si “korsitë e gjelbra” në rrugë tokësore, të cilat lehtësojnë qarkullimin e mallrave dhe reduktojnë kohën e pritjes në pikat kufitare, është një hap i rëndësishëm drejt harmonizimit të procedurave doganore. Njëkohësisht, shkëmbimi i informacionit në kuadër të “korridorit blu” në rrugë detare ndihmon në menaxhimin më efikas të trafikut dhe kontrollin më të mirë të ngarkesave”, tha ai.

Këto iniciativa, vijoi Gazheli, janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të krijuar një mjedis doganor modern, të besueshëm dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Greqisë, Dimitrios Bourikos tha se në pikën kufitare të Kakavijës do të zbatohet një projekt pilot sipas direktivës së BE-së, në bashkëpunim me palën shqiptare, si një hap konkret për thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të inteligjencës doganore.

Projekti do të ndihmojë në lehtësimin e shkëmbimit të informacionit dhe forcimin e luftës kundër kontrabandës dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Ai theksoi se prej vitit 2005 janë ndërmarrë nisma për kontrollin e kontejnerëve dhe se mekanizmi SEED për shkëmbimin elektronik të të dhënave ka ndihmuar në përmirësimin e transparencës dhe efikasitetit.

Gjithashtu, përmendi zbatimin e praktikave të kanaleve të gjelbra, që kanë thjeshtuar procedurat doganore, në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian.

Drejtori i Doganës së Maqedonisë së Veriut, Boban Nikollovski u ndal në sfidat me të cilat përballen doganat në rajon, veçanërisht harmonizimi i legjislacionit dhe kodit doganor me kërkesat e BE-së, ndërtimi i infrastrukturës moderne dhe përmirësimi i pajisjeve.

Konferenca përfshiu tre sesione tematike të fokusuar mbi prioritetet strategjike të bashkëpunimit doganor.

Sesioni i parë trajtoi bashkëpunimin doganor mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, duke theksuar sukseset operacionale dhe sfidat në shkëmbimin e të dhënave dhe përafrimin ligjor.

Sesioni i dytë diskutoi zgjerimin e Korsive të Gjelbërta dhe Blu në kufijtë CEFTA–BE dhe rëndësinë e SEED+ për shkëmbimin e të dhënave në kohë reale dhe ndërlidhjen e sistemeve.

Në sesionin e tretë u analizua roli i doganave në mbështetjen e rritjes ekonomike dhe zgjerimit të BE-së, përmes thjeshtimit të procedurave, mbështetjes ndaj biznesit dhe përshpejtimit të përafrimit me standardet evropiane.

Ky takim i nivelit të lartë forcon edhe më tej bashkëpunimin rajonal dhe evropian në fushën doganore dhe nxit rrugën drejt një tregu më të integruar, konkurrues dhe të lidhur mirë mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos