Edhe qytetet që nuk janë të prekura drejtpërdrejt nga flukset turistike kanë shënuar një rritje të konsiderueshme të çmimeve të pasurive të paluajtshme, përfshirë edhe dhënien e tyre me qira, raporton A2 CNN. Në qytetin e Fierit, agjentët imobiliarë shprehen se, veçanërisht pas periudhës së pandemisë së COVID-19, ka nisur një rritje e ndjeshme e çmimeve të banesave me qira. Sot, këto çmime përllogariten të jenë rritur deri në 40% krahasuar me tre ose katër vite më parë.
Sipas agjentes imobiliare Arta Progonati nga Fieri, një nga arsyet kryesore të kësaj rritjeje është një trend i ri i vërejtur kohët e fundit: emigrantët që kthehen përkohësisht pranë të afërmve të tyre, po preferojnë gjithnjë e më shumë të marrin apartamente me qira afatshkurtër, në vend që të qëndrojnë në shtëpitë familjare.
Kjo prirje e re ka shtuar kërkesën dhe, rrjedhimisht, ka ndikuar në rritjen e çmimeve të qirave mujore, duke e bërë të papërballueshme për një pjesë të popullsisë lokale sigurimin e një banese.
Ndërsa situata aktuale konsiderohet tashmë e vështirë për qytetarët, parashikimet janë që ky trend i rritjes së çmimeve të vazhdojë, pasi tregu imobiliar në Fier po orientohet gjithnjë e më shumë drejt qirave afatshkurtra. (A2 Televizion)