Paga mesatare bruto mujore arrin 82,210 lekë në tremujorin e parë të 2025-ës

Nga Marjo Brakaj
11 Qershor 2025, 16:21 | Ekonomi

Paga mesatare bruto mujore arrin 82,210 lekë në tremujorin e parë

Paga mesatare bruto mujore në Shqipëri gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 arriti në 82,210 lekë, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT). Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo shënon një rritje prej 11.6%.

Megjithatë, nëse krahasohet me tremujorin e fundit të vitit 2024, është regjistruar një rënie prej 1.43%, pasi në atë periudhë paga mesatare mujore kishte qenë 83,401 lekë.

Sektorët me pagat më të larta vijojnë të jenë aktivitetet financiare dhe të sigurimit, si dhe informacioni dhe komunikacioni, të cilat tradicionalisht qëndrojnë mbi mesataren kombëtare për shkak të kërkesës për aftësi të specializuara dhe rolit të teknologjisë në zhvillim.

Ndërkohë, sektorët që përjetuan rritjen më të lartë të pagave ishin administrata publike, arsimi, shëndetësia dhe aktivitetet sociale, me një rritje prej 16.7%. Kjo rritje reflekton politikat e reja të qeverisë për përmirësimin e pagave në sektorin publik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos