Ditën e sotme është mbajtur Konferenca e pestë e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, shkruan A2 CNN.
Në fjalën e tij gjatë konferencës, Guvernatori Gent Sejko theksoi rëndësinë historike dhe bashkëkohore të institucionit që ai drejton, duke përmendur se idetë për një bankë kombëtare u hodhën që në kohën e Ismail Qemalit, pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912.
Po ashtu, ai vijoi më tej duke thënë se Banka e Shqipërisë ka pasur një rol tepër të rëndësishëm në ekonominë shqiptare.
“Ismail Qemali, pas aktit të Pavarësisë më 1912, me rëndësi konsideronte ngritjen e një Banke, të ndërtuar sipas modeleve të Bankave Europiane. Banka nisi punën duke filluar me standardin e arit. Pas Luftës së Dytë Botërore, Banka ishte e centralizuar.
Banka fillimisht bashkëpunoi me disa shtete, përpara se të mbahej “me forcat e veta”. Edhe pas viteve 1990, Banka e Shqipërisë ka pasur rol të rëndësishëm në jetën e qytetarëve.
Gjatë demokracisë, janë marrë reforma të rëndësishme për të ndryshuar Bankën e Shqipërisë. Banka ka luajtur rol në stabilitetin financiar të vendit. BSH ka afruar praktikat e saj me BE, për t’i paraprirë integrimit. Shqipëria nuk bën sot përjashtim nga realiteti ekonomik global”, tha mes të tjerash Sejko. (A2 Televizion)