Ndryshojnë rregullat e hetimit, paraburgim vetëm kur veprat dënohen mbi 5 vite, Rama: Dëshmitarë me avokat, kush nxjerr dosjen dënohet

Nga A2 CNN
30 Shtator 2026, 15:27 | Politikë

Një e pesta e Kodit të Procedurës Penale, ku përcaktohen rregullat për prokurorinë dhe të drejtat e të akuzuarve apo dëshmitarëve, do të ndryshojë.

Gjatë prezantimit të amendamenteve, Kryeministri Edi Rama theksoi se paraburgimi do të përdoret si masë e fundit, vetëm kur ka prova të forta dhe kur vepra penale parashikon dënim mbi pesë vite në qeli.

Nga ky rregull përjashtohen veprat e rënda penale dhe çështjet nën hetim nga SPAK.

Gjykata do të duhet ta arsyetojë hollësisht vendimin për caktimin e masës së sigurisë. Palëve do t’u vihen në dispozicion të plota provat dhe materialet e dosjes.

Ndryshime parashikohen edhe për mënyrën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve.

Akuzave të mëparshme se prokurorët i marrin dëshmitë me shkrim dhe pa regjistrim, Rama iu përgjigj me ndryshim në ligj.

Deklarimet e marra nën dhunë ose presion nuk do të pranohen si prova. Në rastet e sekuestrimit të telefonave, prokurorët nuk do të mund të kontrollojnë çdo material, por vetëm të dhënat që lidhen me çështjen nën hetim.

Publikimi i materialeve hetimore në media u paraqit sërish si shqetësim nga Kryeministri. Nëse materialet e dosjes dalin nga prokuroria, gjykata apo avokatët, përgjegjësia penale, sipas Ramës, nuk do të bjerë mbi gazetarët.

Përballë kritikëve, Kryeministri u kujdes të theksonte se ndryshimet nuk cenojnë institucionet e reja të drejtësisë. Ligji nuk do të prekë vendimet e marra dhe hetimet e zhvilluara përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve. Rama theksoi gjithashtu se rishikimi i masave të sigurisë nuk përbën amnisti.

Personave nën hetim do t’u bëhet e ditur edhe data kur është regjistruar procedimi penal ndaj tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos