Blerja e armëve, dronëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake do të jetë më e thjeshtë. Shqipëria do të ndryshojë ligjin që dikton procedurat tenderuese në fushën e mbrojtjes çka pasqyrohet në ligjin e hedhur për konsultim publik.
Ministria e Mbrojtjes: “Miratimi i tij pritet të rrisë sigurinë juridike, transparencën dhe konkurrencën, të përmirësojë planifikimin dhe zhvillimin e procedurave, të forcojë mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe sigurinë e furnizimit, të bëjë më efektiv sistemin e ankimit dhe të ulë paqartësitë gjatë zbatimit”.
Baza e re ligjore përjashton nga rregullat prokurimet që realizohen nëpërmjet agjencive të NATO-s ose organizatave ndërkombëtare.
Ministria e Mbrojtjes: “Hiqen përjashtimi i përgjithshëm për prokurimet e kryera nëpërmjet agjencive të NATO-s ose organizatave ndërkombëtare, përjashtimi për të gjitha prokurimet në rast krizash ose situatash ekstreme të sigurisë kombëtare, si dhe përjashtimi për blerjen e pajisjeve dhe mjeteve ushtarake, armëve, municioneve dhe materialeve luftarake”.
Projektligji i hartuar në bashkëpunim me Komisionin Evropian shton edhe rregulla më të hollësishme për pavlefshmërinë e kontratave.
Ministria e Mbrojtjes: “Kur efektet e kontratës ruhen për arsye të interesit publik, Komisioni vendos masa alternative efektive, proporcionale dhe shkurajuese, duke vlerësuar rëndësinë e shkeljes, sjelljen e autoritetit ose entit kontraktor dhe masën në të cilën kontrata mbetet në fuqi. Masat konsistojnë në gjobë në përpjesëtim me vlerën e kontratës, por jo më shumë se 10 për qind të saj, ose në shkurtimin e kohëzgjatjes së kontratës. Dëmshpërblimi nuk konsiderohet masë alternative”.
Ligji i ri përbëhet nga 80 nene. Ndryshimet janë aq të gjera sa u vlerësua e pamjaftueshme ndërhyrja në ligjin ekzistues. (A2 Televizion)