
Euroja nuk e ka prekur fundin... tatëpjeta do të vijojë. Pasi shkeli “vijën e radhës të kuqe”, atë të 93 lekëve, valuta europiane pritet të rrokulliset edhe më tej të paktën deri në fund të gushtit.
Dritan Vakaj, kreu i Shoqatës së Agjencive të këmbimit Valutor, shprehet: “Nisur nga sinjalet që po marrim nga tregu, ne presim që euroja të gjejë një pikë ekuilibri rreth 90 lekëve. Në një skenar më ekstrem mund të shohim edhe nivele rreth 87 lekë, por ky nuk është skenari që ne do të dëshironim të materializohej".
Përballë “superlekut” po zhvlerësohen edhe valutat e tjera kryesore në vend. Dollari po këmbehet për mesatarisht 80 lekë, Paundi për më pak se 108 , ndërsa Franga zvicerane ka rënë nën 100 lekë për herë të parë në histori.
“Kur leku forcohet në këtë mënyrë, efekti nuk mbetet vetëm te euroja. Ne e shohim këtë reflektim edhe te valutat e tjera, sepse kursi i tyre përcaktohet në raport me euron dhe me zhvillimet në tregun vendas. Për këtë arsye, një dobësim i mëtejshëm i euros do të ushtrojë presion edhe mbi valutat e tjera kryesore”, vijon Vakaj.
Nga turistët, emigrantët shqiptarë që jetojnë në shtet europiane, eksportet e mallrave dhe investimet e huaja u futën në Shqipëri në gjysmën e parë të vitit 8.27 miliardë euro sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë.
Adrian Civici, ekspert për ekonominë, thotë: “Kemi një kombinim faktorësh që po shtojnë ofertën e valutës në treg. Turizmi është një prej tyre, por nuk duhet të harrojmë prurjet nga emigrantët, eksportet dhe investimet. Kur këto burime valutore hyjnë në një periudhë të shkurtër në ekonomi, presioni për forcimin e lekut bëhet i natyrshëm.”
Sigurisht! Tregu, oferta dhe kërkesa. Si në thuajse çdo veprimtari tjetër, brenda këtij trekëndëshi sillet edhe kursi i këmbimit. Po a janë vetëm këta faktorët?
“Jo, nuk mund ta shpjegojmë gjithçka vetëm me mekanizmin e ofertës dhe kërkesës. Ka edhe faktorë të tjerë që lidhen me strukturën e ekonomisë shqiptare, pritshmëritë e tregut dhe mënyrën se si aktorët ekonomikë reagojnë ndaj këtij forcimi të lekut. Prandaj duhet parë nëse kemi të bëjmë me një fenomen të përkohshëm apo me një tendencë që mund të zgjasë”, vijon Civici.
Me qëllim frenimin e tatëpjetës së valutës europiane si pasojë e “superlekut”, Banka e Shqipërisë u detyrua të tërheqë nga tregu i këmbimit mbi 95 milionë euro në tre muajt e parë të vitit. Krahasuar me janar-marsin 2025, sa sasia e euros së blerë u trefishua. (A2 Televizion)