Më shumë hua priten këtë vit, por për çfarë e duan kredinë shqiptarët

Nga Marinela Lina
21 Janar 2025, 18:57 | Ekonomi

Për konsum e blerje banesash, shqiptarët rritën kërkesat për huamarrje nga bankat në vend. Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë për 3 mujorin e 4 të 2024 mbi aktivitetin kreditues në vend, tregon një rritje të interesit nga individët si pasojë e lehtësimit të standardeve të kredisë kryesisht asaj konsumatore

“Rritja e kërkesës konsumatore mund të interpretohet si pamundësi e individit për të përballuar shpenzimet e përditshme por dhe si mundësi e zgjeruar e qytetarëve që kërkojnë financim shtesë se ndjejnë që gjendja ekonomike është përmirësuar dhe ja lejojnë vetes ta marrin”, u shpreh Elvin Meka, ekspert bankar.

Pavarësisht se pati një shtrëngim të kushteve të kreditimit për blerjen e pasurive të paluajtshme si pasojë e aftësisë paguese, huamarrja për këtë sektor u rrit në fundvit.

“Gjithmonë e më shumë po i qasen blerjes së banesave ata që kanë mundësinë paguese dhe sigurisht që bankat janë në treg për t’i shërbyer kësaj klientele”, theksoi Meka.

Sipas Bankës së Shqipërisë kredia e re për individët gjatë 11 mujorit 2024 arriti në 94.2 miliardë lekë, në rritje me 14.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Interesi për kredi nga individët sipas Bankës Qendrore do të rritet edhe më tej edhe në muajt e parë të 2025. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos