Kryesisht nga çmimet dhe fitimet e individëve e bizneseve, në gjysmën e parë të vitit, në buxhetin e shtetit hynë gati 343 miliardë lekë. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në krahasim me 6-mujorin e parë të vitit të shkuar, arkëtimet janë rritur me rreth 23 miliardë lekë, ose 7.1 për qind.
Me gjithë inflacionin e zbutur, nga tatimi mbi vlerën e shtuar mbi çmimet e ushqimeve dhe produkteve u mblodhën plotë 75.3 miliardë lekë, 6.4 për qind më tepër se një vit më parë. Rritja e pagave të individëve gjithashtu kontribuoi me 32.3 miliardë lekë, ndjekur nga taksat dhe akciza. E kundërta ka ndodhur me tatim-fitimin e bizneseve që sollën 3.6 për qind më pak para në arkën e shtetit se në janar-qershor 2023.
“Ky është një lajm i mirë për buxhetin e shtetit, por jo për qytetarët dhe bizneset. Këta të fundit po paguajnë më shumë. Na mungon një analizë që të tregojë se sa janë ngushtuar evazioni dhe informaliteti. nëpërmjet tyre ne do mund të matnim edhe performancën e përgjithshme të politikave”, tha Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.
Nga ana tjetër qeveria duket se po tregohet më dorështrënguar te shpenzimet. Në harkun e muajve janar-qershor për investime shkuan pak më shumë se 291 miliardë lekë. Në raport me gjysmën e parë të vitit të shkuar shpenzimet janë zgjeruar me 6.4 për qind, por ato u realizuan vetëm në masën 93.1 për qind të planit.
“Duhet analizuar me kujdes. Pse nuk janë realizuar investimet. Ky është problem. Nuk është kurim por mungesë eficence nga institucionet”, shtoi Gjokutaj.
Të ardhurat ndjeshëm më të larat se shpenzimet bënë që ekonomia e vendit të mbyllej pozitivisht në gjashtë muajt e parë të vitit me, me mbi 51 miliardë lekë të kursyera. (A2 Televizion)