
Në emër të çdo shqiptari, pavarësisht nëse jeton në veri a jug, fshat apo qytet, vitin e ardhshëm do të shpenzohen mesatarisht 406 mijë lekë, me kursin aktual të këmbimit mbi 4 mijë e 200 euro.
“Për të ndërtuar rrugë, shkolla e ujësjellës, menaxhuar mbetjet apo për t’u mbrojtur nga zjarret e përmbytjet, është planifikuar një buxhet prej 976 miliardë lekësh, mbi 10 miliardë euro”, tha Malaj.
“Një në tre lekë që do të shpenzohen vitin e ardhshëm do të shkojnë për “mbrojtjen sociale”. Nga mbi 10 miliardë euro në total që përllogaritet buxheti i vitit 2027, rreth 3 miliardë euro do të shkojnë për kategori të cilat kanë nevojë për “dorën e shtetit”, u shpreh ai.
Për herë të parë në 30 vjet qeveria do të ulë në 6 për qind Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për 54 produkte ushqimore, ndërsa taksa e qarkullimit nuk do të paguhet më te karburanti por te automjeti.
Çdo fund-viti, pyetjet më të mëdha që ngrihen mbi ‘Buxhetin e Shtetit’, janë se ku do të shkojnë taksat, çfarë projektesh të reja do hapen, a do rriten rrogat apo pensione? Me maratonën e buxhetit që vijon, shqiptarët presin një buxhet dhe paketë fiskale që sjell mirëqenie. (A2 Televizion)