“Çmimi është rritur por në mënyrë shumë më të moderuar se sa rritja që është parë për shkak të rritjes së çmimit në bursë në disa vende të tjera”.
Në më pak se 24 orë nga takimi i qeverisë me furnizuesit e karburanteve, çmimi i naftës është rritur me 15 lekë duke kërcyer në 214 lekë për litër. Në tre javë tensione në Lindjen e Mesme, çmimet e karburanteve në Shqipëri janë rritur me mesatarisht 40 lekë.
Bardhi Sejdarasi, gazetar i çështjeve ekonomike, shprehet për A2: “Në Shqipëri është folur gjatë nëse ka apo nuk ka abuzime me çmimet, nëse ka kompani oligarkë apo j. Unë them se ka kompani që kanë koncentruar kapitalin pasi nga 5 hetimi që ka bërë Autoriteti I konkurrencës nuk ka gjetur vendosje të çmimeve horizontale apo vertikale”.
Përtej dyshimeve të arsyeshme për abuzim, për çdo një litër naftë, aktualisht me çmimin 214 lekë, shqiptarët paguajnë plotë 42.8 lekë Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Akciza, një lloj takse që përdoret me qëllim dekurajimin e produkteve të dëmshme për mjedisin në këtë rast e që indeksohet çdo vit me normën e inflacionit peshon mbi 37 lekë në çdo litër. 11 taksat dhe tarifat e tjera bëjnë që në çmimin aktual prej 214 lekësh për litër, 134.8 lekë të jenë vetëm “detyrime në shtet”. (grafik 2) Sikur të mos mjaftonte duzina e taksave dhe tarifave, Partia Socialiste në mandatin e parë qeverisës rriti nga 7 në 27 lekë taksën e qarkullimit që vilet në çdo litër naftë.
“Sepse ne, sistemin e taksave në Shqipëri për karburantet e kemi “one stop shop”. Pra, në një dritare të vetme, në pikat e karburantit ne marrim të gjitha taksat dhe tatimet. Janë 13 të tilla”, thekson Sejdarasi.
Partia Demokratike dhe Shoqata e Hidrokarbureve kanë kërkuar ndërhyrje në sistemin e taksave me qëllim uljen e çmimit të karburanteve siç Italia bëri por kërkesat nuk kanë gjetur pëlqimin e qeverisë.
“Sepse ne nuk e transmetojmë dot atë që kërkojmë me anë të sistemit. Në momentin që nuk ke autoriteti që ta ndjekin këtë transferim çmimesh, është e pamundur të ulësh taksat. Ne kemi një histori me gaz te lëngshëm. Edhe pse TVSH u ul nga 18 në 6 për qind, çmimi i gazit të lëngshëm në fakt është rritur.”
Me tensionet në Lindjen e Mesme që vijojnë, pas sulmeve të Iranit në Katar, çmimi i gazit pritet të rritet me ritme të shpejta në ditët në vijim”, theksoi Sejdarasi.
“Sepse ne furnizohemi me gazin e lëngshëm drejtpërdrejtë nga ajo zonë. Dhe dëmtimi i rafinerisë në Katar apo në shtet e tjera rreth e rrotull do të shoqërohet e shtrenjtim të çmimit, sinjale që kanë filluar të jepen”, theksoi më tej gazetari.
Të dhënat nga Drejtoria e Doganave tregojnë se burimi kryesor nga u furnizuan importuesit shqiptarë në vitin 2025 ishte Arabia Saudite, nga u morën 257 mijë ton naftë, ose 35 për qind e totalit. Shteti i dytë nga importohet nafta është India, nga e cila në 2025-n u importua 16 për qind e totalit. Më pas renditen Italia, Greqia, Kuvajti, Kroacia, Malta dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (A2 Televizion)