Ministrja Denaj: Situata e murtajës te bagëtive të imta është nën kontroll

Nga A2 CNN
26 Qershor 2025, 15:18 | Ekonomi

Ministrja Denaj: Situata e murtajës te bagëtive të imta

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj gjatë fjalës në seancën parlamentare të sotme, u ndal te situata e krijuar nga sëmundja e murtajës te bagëtia e imët në vend, duke theksuar se përkundër sfidave, situata është nën kontroll.

Denaj vuri në dukje rëndësinë e projektligjit “Për shëndetin e kafshëve”, i cili mbështet proceset e identifikimit falas, parandalimit, diagnostikimit dhe trajtimit të sëmundjeve në bagëti. “Kjo punë në terren ka siguruar ruajtjen e situatës sinotike në Shqipëri, në krahasim me vendet e rajonit”, deklaroi ajo.

Ministrja theksoi se, megjithëse Shqipëria është një nga vendet e prekur nga murtaja, dëmet në vend janë shumë më të vogla krahasuar me vendet fqinje, si Greqia dhe Rumania, ku janë dëmtuar dhjetëra e qindra-mijëra kafshë.

Sipas saj, aktualisht në Shqipëri janë identifikuar 10 qendra krize, ku po menaxhohet me kujdes përhapja e sëmundjes, shkruan A2 CNN.

Denaj vlerësoi edhe punën e Policisë së Shtetit dhe Doganën për mbështetjen në ruajtjen e kufirit dhe për parandalimin e hyrjeve të paligjshme që mund të rrezikojnë situatën.

Ajo u bëri apel të gjithë fermerëve të respektojnë protokollet dhe standardet e vendosura për blerjen dhe tregtimin e bagëtive.

Ministrja informoi se deri tani janë ekzekutuar rreth 1800 kafshë për të mbajtur situatën nën kontroll.

“Situata ndikon në mënyrë të ndjeshme, por jemi duke e menaxhuar shumë efektivisht”, deklaroi ministrja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos