Nën drejtimin e zëvendësministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, po zhvillohet në Tiranë takimi i 16-të i Nënkomitetit Shqipëri-BE për tregun e brendshëm dhe konkurrencën.
Takimi, i bashkorganizuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, po zhvillohet në kuadër të dialogut të rregullt të Stabilizim-Asociimit, me pjesëmarrjen e institucioneve shqiptare dhe ekspertëve të Komisionit Evropian.
Gjatë këtij takimi pati diskutime mbi avancimin dhe sfidat që mbeten në përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis communautaire në fusha kyçe si konkurrenca dhe ndihma shtetërore, të drejtat e pronësisë intelektuale dhe industriale, prokurimi publik, e drejta për të ushtruar profesionin dhe ofrimi i shërbimeve.
Gjithashtu në fokus ishte edhe mbrojtja e konsumatorit dhe shëndeti, ligji për shoqëritë tregtare, kontabiliteti dhe auditimi, si dhe shërbimet financiare, shkruan A2 CNN.
Shqipëria rikonfirmon angazhimin e saj të palëkundur për të vijuar zbatimin e reformave të nevojshme dhe për të avancuar me përkushtim në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. (A2 Televizion)