Bota gjendet në një udhëkryq ekonomik dhe përfituesit kryesor do të jenë sa shtetet që do të ndërtojnë ura bashkëpunimi aq edhe vendet që nuk do i kthejnë shpinën Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke mbrojtur politikën e re të Donald Trump e cila po çon në një “luftë të ftohtë globale” presidenti i Dhomës Amerikane në Tiranë Grant Van Cleve sugjeron se Shqipëria nuk duhet të distancohet nga SHBA, pasi politika e Trump është negocimi shtet-shtet.
“Teksa administrata Trump kërkon të zhvillojë marrëdhënie vend pas vendi, ka mundësi që Shqipëria të përfitojë shumë. Po më rritet gjithnjë e më shumë besimi në rëndësinë që ka Amerika për zhvillimin e Shqipërisë. Po më rritet gjithashtu edhe besimi kur ju them që duhet të forconi marrëdhënien tuaj me Amerikën”, tha Grant Van Cleve, Presidenti i dhomës Amerikane në Shqipëri.
Kjo ‘luftë’ e kritikuar fort nga Bashkimi Evropian, i cili paralajmëron kundërpërgjigje me sanksione, sipas Van Cleve duhet të shfrytëzohet nga Shqipëria për të bërë sa më shumë marrëveshje me shtete të ndryshme, shkruan A2 CNN.
“Ndodhemi në një udhëkryq interesant në ekonominë globale, jemi pjesë e një tranzicioni dhe evolucioni masiv. Shqipëria ndodhet në një pozicion shumë interesant për të përfituar nga këto tranzicione. Në lidhje me marrëdhëniet me Amerikën, me mundësinë për të zhvilluar marrëdhënie bilaterale dhe jo vetëm në nivel blloku në Bashkimin Evropian”, tha Grant Van Cleve, Presidenti i dhomës Amerikane në Shqipëri.
Deklaratat u bënë në një konferencë me bizneset dhe përfaqësues të partive politike në prag të zgjedhjeve të 11 majit. Në mungesë të socialistëve që kishin refuzuar ftes kishin refuzuar ftesën, demokratët shpalosën disa nga pikat e programit të tyre.
“Parimi kryesor i gjithë paketës fiskale dhe njëkohësisht i politikës ekonomike që propozon Partia Demokratike është qëndrueshmëria. Në 12 vitet e fundit, legjislacioni fiskal ka ndryshuar mbi 60 herë, ndërsa ligji për procedurat tatimore ka ndryshuar plot 180 herë. Ne kërkojmë stabilitet dhe parashikueshmëri”, tha Jorida Tabaku, Deputete e PD.
“Për sa i përket nivelit të taksimit, ne mbështesim taksën e ulët, përkatësisht taksën e sheshtë. Synojmë rikthimin e saj për të ardhurat personale, duke hequr dorë nga taksimi progresiv prej 23%, i cili ka ndikuar negativisht në ekonominë e vendit”, tha Dorian Teliti, Koordinator i Programit Ekonomik të PD.
Teksa numërimi mbrapsht drejt 11 majit ka nisur, sugjerime dha edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë. Ato shtrihen në 7 drejtime kryesore, nga kërkesa për një ligj të ri për investimet e huaja, stabilitet në taksa, vijim të luftës ndaj korrupsionit deri te zgjidhja e problemit të pronave. (A2 Televizion)