Eksportet ngrenë kokë, nafta e nxjerrë nga fushat e Patos-Marinzës "shpëtoi" tregtinë e jashtme në mars

Nga Marjo Brakaj
17 Prill 2025, 15:18 | Ekonomi

Tatëpjeta e eksporteve shqiptare si pasojë e zhvlerësimit të euros është frenuar. Nga pak më shumë se 32 miliardë lekë një vit më parë, muajin e shkuar në tregjet e huaja u shitën mallra që kushtuan 34.9 miliardë lekë. Rritja përllogaritet në rreth 2.9 miliardë lekë apo 4.9 për qind.

Kontributin kryesor në këtë ecuri e ka dhënë eksporti i naftës bruto të nxjerrë nga fushat e Patos-Marinzës që në mars u zgjerua me 1.6 për qind. Me përjashtim edhe të tekstileve e këpucëve, të gjithë grupet e tjera të produkteve paraqiten në rënie duke konfirmuar se “kriza e eksporteve nuk ka marrë fund”.

“Nuk kemi të bëjmë me një kthesë. Kemi thjesht një grup produktesh, në këtë rast karburanti që ka shënuar zgjerim të konsiderueshëm e rrjedhimisht ka ndikuar në peshën totale. Por kriza e eksporteve vijon”, tha Edison Zaçaj, ekspert për ekonominë.

E kundërta ndodhi me importet muajin e shkuar. Pavarësisht shifrave në rritje të turistëve në shkuar u blenë nga jashtë mallra me vlerë 73.7 miliardë lekë. Në krahasim me marsin e një viti më parë, rënia përllogaritet me gati 1 miliardë lekë, shkruan A2 CNN.

“Kemi një krizë konsumi e cila pritet të bëhet edhe më e ashpër në vijim si pasojë e largimeve nga vendi. Turistët nuk po ndikojnë në zgjerimin e konsumit e rrjedhimisht n zgjerimin e konsumit e rrjedhimisht në nxitjen e prodhimit vendas apo importeve”, tha Edison Zaçaj, ekspert për ekonominë.

Me eksportet që morën një kthesë të vogël dhe importet në rënie lehtë, bilanci tregtar u mbyll negativisht për vendin muajin e shkuar me 38.9 miliardë lekë deficit.

“Vijojmë te kemi një bilanc aspak premtuar që rrezikon të na kthejë shumë pas në kohë me një deficit tregtar të theksuar”, tha Zaçaj.

Muajin e shkuar Shqipëria eksportoi më shumë produkte drejt Kosovës, Greqisë dhe Gjermanisë. Nga ana tjetër, kompanitë shqiptare kanë çuar më pak  produkte drejt Italisë dhe Maqedonisë së Veriut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos