“Motor i fortë i ekonomisë”, Dhoma Ekonomike e Diasporës si përbashkuese e shqiptarëve në botë

Nga Marjo Brakaj
14 Prill 2026, 16:35 | Ekonomi


Shqipëria është vendi i tretë në botë për diasporën më të madhe. Kryesisht në Itali, Greqi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar e Belgjikë jetojnë e punojnë 2.2 milionë qytetarë.

Me organizimin e Dhomës Ekonomike të Diasporës, Minsitrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme me në epiqendër fabulën “Përmes rrënjëve lartësohemi”, shqiptarët e suksesshëm nëpër botë u mblodhën në Tiranë në Samitin e katërt të Diasporës.

“Diaspora është një urë lidhëse e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Me gjithë entuziazmin dhe dëshirën e mirë që kemi pasur gjatë samiteve të kaluara, besoj se mund të bëjmë shumë më tepër. Ky vit do të jetë një moment kyç për të pasur rezultate konkrete dhe për të intensifikuar bashkëpunimin me diasporën për të krijuar një ekosistem më të hapur dhe më konkurrues”.

Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e investimeve nga shqiptarë të diasporës, veçanërisht në pesë vitet e fundit, kanë shkuar në projekte në sektorë si agroturizmi, turizmi, bujqësia dhe shërbimet financiare.  Megjithatë, lidhja me origjinën, veçanërisht në drejtim të ekonomisë, vijon të pengohet kryesisht nga mungesa e të dhënave, mosnjohja e kapitalit të origjinës dhe mungesa e një strategjie funksionale për integrimin e diasporës me jetën socio-ekonomike të Shqipërisë.

 “Gjëja kryesore që kërkojnë ata është siguria. Komunikimi. Kam parë që institucione të ndryshme që janë edhe këtu sot e afrojnë këtë gjë, por që është e domosdoshme qasja direkte. Kjo për të kuptuar se çfarë duan ata dhe kush janë ata.”

Përfitimet ekonomike të Shqipërisë nga diaspora shtrihen në disa drejtime, te kapitali, dija, eksperienca, investimet e huaja, turizmi dhe mbi të gjitha te paratë që sjellin për familjet në vendlindje. Për të kuptuar madhësinë e remitancave, mjafton të kujtojmë se vetëm gjatë vitit të shkuar ato arritën në 1.1 miliardë euro. Sot roli i diasporës bëhet edhe më jetik në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

 “Ne kemi krijuar mundësi për investitorët nga diaspora dhe 10% e fondeve që qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion për mbështetje të inovacionit janë të dedikuara për diasporën. Ky është një hap i rëndësishëm për të zhvilluar më tej bashkëpunimin dhe për të ndihmuar Shqipërinë të bëhet një vend më i zhvilluar ekonomikisht.”

Diaspora, ashtu si edhe në samitin e fundit të saj që u mbajt në Tiranë, cilësohet si “Arka e Noes” për ekonominë shqiptare, e cila po kalon ditë të mira, por në horizont nuk mungojnë rreziqet e shtuara.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos