Rritja e çmimeve të karburanteve mund të godasë industrinë e fluturimeve. Nëse Ngushtica e Hormzuit nuk hapet plotësisht deri në javën e parë të majit, Shoqata e Industrisë së Aeroporteve në Evropë paralajmëron pakësim të fluturimeve në prag të sezonit masiv turistik veror, shkruan A2 CNN. Të gjitha shtetet, përfshirë Shqipërinë... sytë tashmë i kanë te “rezervat strategjike të sigurisë”. Po për sa kohë “jemi të mbrojtur” nga kriza që do të prekë edhe Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”?
Aktualisht kemi 5 muaj karburant të siguruar. Nëse lufta dhe kriza zgjat përtej muaji maj, edhe Shqipëria do të përballet me probleme me furnizimin me karburant për avionët.
Autoriteti i Aviacionit Civil
Por nëse konflikti në lindjen e mesme nuk mbyllet dhe lufta do të vazhdojë përtej muajit maj, Avicioni thotë se edhe “Shqipëria do të përballet me probleme me furnizimin me karburant për avionët”.
Në Itali kanë nisur kufizimet e para. Në 7 aeroporte është ndaluar të bëhet furnizimi me karburant i avionëve që ndalen për transit për të shkuar në destinacionin e radhës. Për pasojë, Aviacioni Civil, sqaron se “avionët po furnizohen më shumë se zakonisht në Shqipëri për itinerarin e plotë të fluturimeve. Konsumi i tepërt i karburantit në këtë situatë, do të vinte në pikëpyetje edhe rezervat 5 mujore që Aviacioni thotë se ka nëse lufta mbyllet në maj.
Pyetjes nëse Shqipëria ka në plan të reduktojë fluturimet për të ruajtur rezervat që ka aktualisht, Autoriteti i Aviacionit Civil, thotë se nuk po diskutohet një skenar i tillë, pasi ende nuk janë shfaqur probleme në furnizim.
Çmimi i naftës së papërpunuar bruto në bursat ndërkombëtare kërceu sërish mbi 100 dollarë për fuçi në fillim-javë pas tensioneve në Ngushticën e Hormuzit. (A2 Televizion)