Rritja e çmimeve të karburantit pritet të shtrenjtojë biletat dhe të ulë fluturimet, duke goditur turizmin në Shqipëri. Rënia e kërkesës mund të detyrojë kompanitë të ulin çmimet për të mbushur vendet bosh. Shqipëria mund të fitojë turistë nga tregje të tjera, por rrezikon të humbasë ata nga Lindja e Mesme.
Besnik Vathi, kryetar i Shoqatës së Tur-Operatorëve shprehet: “Në terma afatgjatë sjell rritje të çmimeve të fluturimit. madje edhe në kontratat “charter” ka klauzola të përcaktuara qartë. Nëse çmimi i karburanteve rritet, kjo përcillet te çmimi fundor i biletave të udhëtimit.”
Por medalja ka dy anë. Rënia e kërkesës së udhëtimeve si pasojë e shtrenjtimit të biletave mund të detyrojë kompanitë e fluturimeve të ulin çmimet.
“Kjo frika globale për të fluturuar ul kërkesën e klientëve për të udhëtuar. Por kompanitë ajrore i kanë të skeduluara fluturimet. Duke pasur vende bosh ato nxjerrin oferta. Madje zbresin çmimet për të amortizuar rënien e kërkesave”, vijon Besnik Vathi.
Shqipëria pritet të tërheqë një pjesë të konsiderueshme të turistëve të cilët kanë anuluar pushimet në Lindjen e Mesme për shkak të tensioneve. Nga ana tjetër të humbasë pushuesit prej andej që kishin filluar të vinin më shpesh vitet e fundit në Shqipëri.
“Janë 4-5 linja direkte që fluturonin drejt Shqipërisë. Nga Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Kuvajti dhe pritej që të fillonte dhe Jordania. Fluturime që nuk do të bëhen. Dhe ato ishte 80-90% të mbushura gjatë sezonit të verës me turistë që vinin nga Lindja e Mesme në Shqipëri”, shprehet ai.
Shqipërinë e kanë vizituar gati 1.7 milionë të huaj në tre muaj e parë të vitit. Të dhënat tregojnë se në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë, hyrjet e turistëve nga jashtë janë zgjeruar me 3 për qind. (A2 Televizion)