Një 1 janari i vitit të ardhshëm, bizneset në vend që prodhojnë dhe hedhin produkte në treg, do të ngarkohen me detyrimin për të menaxhuar mbetjet e tyre. Parimi “ndotësi paguan” është pjesë e ndryshimeve ligjore që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hedhur për konsultim publik. Sipas relacionit të projektligjit, nisma ka për qëllim reduktimin e prodhimit të mbetjeve.
“Nëse ky ligj që tashmë është në “Konsultim Publik” miratohet ashtu siç duhet dhe jo duke u orientuar tek interesat, barra e menaxhimit të mbetjeve nuk do të mbahet më nga qytetarët si në drejtim të kostove shëndetësore dhe financiare”, shprehet Rodion Gjoka, ekspert mjedisi.
Prodhuesit do të duhet të menaxhojnë mbetjet e gjeneruara pas konsumimi të tilla si ambalazhet, bateritë, automjetet e amortizuaraa dhe mbetjet e pajisjeve elektrike dhe elektronike.
Sipas bazës së re ligjore, bizneset ngarkohen me përgjegjësi financiare për të paguar kostot e grumbullimit dhe transportimit të mbetjeve të gjeneruara nga produktet e tyre. Gjithashtu, prodhuesit duhet të investojnë në infrastrukturën e grumbullimit.
“Ndryshimet ligjore duhet të vijojnë edhe në të tjera drejtime. Nuk ka nevojë që ne të kemi tri veshje apo etiketa për një produkt. Duhet të racionalizohet përdorimi i plastikës në veçanti”, thotë eksperti.
Në rast të mos-përmbushjes së detyrimeve, ndaj bizneseve do të aplikohen masa ndëshkuese. Gjobat e propozuara variojnë nga 200 mijë në 2 milionë lekë. Aplikimi i bazës së re ligjore është detyrim që duhet përmbushur nga Shqipëria për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. (A2 Televizion)