I ftuar në emisionin “Dita Jonë”, eksperti fiskal Ergis Sefa dha sqarime të detajuara lidhur me përfitimet tatimore që u takojnë prindërve për fëmijët nën 18 vjeç dhe shpenzimet arsimore. Sipas tij, një nga përfitimet kryesore është zbritja deri në 48 000 lekë të reja për çdo fëmijë. “Është zbritje nga tatimi. Pra, nuk bëhet fjalë për marrje parash “cash” direkte, por duke qenë se ne kemi paguar tatime gjatë gjithë vitit për pagat që kemi marrë, për çdo nivel të ardhurash, do të kemi një zbritje prej 48 000 lekë për secilin fëmijë. Më pas llogaritet se sa do të jetë kompensimi real në para, i cili do t’i kthehet secilit prind”, tha Sefa, përcjell A2.
Ndërkohë, për prindërit me të ardhura të ulëta, ekziston edhe një kompensim shtesë deri në 100 000 lekë të reja për shpenzimet e arsimit, përfshirë edhe kurset private. Për këtë kategori, Sefa nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së faturave dhe kontratave me institucionet arsimore, pasi ato janë të domosdoshme për përfitimin e rimbursimit.
“Ky përfitim u takon vetëm prindërve me të ardhura të ulëta, pra atyre që kanë të ardhura vjetore nën 12 milion lekë të vjetra, ose paga mujore nën 1 milion lekë të vjetra. Në këtë rast flasim padyshim për përfitim në nivel prindërish”, tha ai.
“Një element shumë i rëndësishëm, veçanërisht për kompensimin e arsimit, është ruajtja e faturave. Duhet të ruhen faturat e lëshuara nga institucionet arsimore apo ofruesit e kurseve private, sepse në një fazë të dytë administrata tatimore mund t’i kërkojë këto dokumente. Nëse nuk ka prova që janë kryer pagesat, përfitimi rrezikon të humbasë plotësisht. Kjo vlen vetëm për pjesën e kompensimit të arsimit”.
Përveç faturave, çfarë dokumentesh të tjera duhet të ruajë një prind? “Është e rëndësishme që prindërit të kenë edhe kontratën me institucionin arsimor ose me ofruesin e kursit. Rekomandohet që këto dokumente të jenë të skanuara dhe të ruhen së bashku me faturat apo çdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien mes prindit dhe institucionit përkatës”, tha ai.
Si realizohet zbritja hap pas hapi
“Për zbritjen deri në 48 000 lekë për fëmijë, nuk kërkohen fatura; mjafton të vërtetohet që fëmija është nën 18 vjeç. Gjatë vitit, individi ka marrë pagë ose të ardhura të tjera dhe ka paguar tatimet përkatëse. Në fund të vitit bëhet përllogaritja: sa taksa janë paguar për 12 muaj. Nga kjo shumë zbriten 48 000 lekë për çdo fëmijë dhe llogaritet shuma e re e tatimit që duhej paguar. Diferenca mes tatimit të paguar dhe atij të rillogaritur kthehet te qytetari dhe transferohet në llogarinë bankare ku ai merr pagën.
Për sa i përket zbritjes prej 48 000 lekë, ajo aplikohet për secilin fëmijë. Ndërsa për kompensimin e arsimit, pavarësisht nëse keni një, dy apo tre fëmijë, tavani maksimal i përfitimit mbetet 100 000 lekë dhe nuk rritet me rritjen e numrit të fëmijëve”. (A2 Televizion)